Formacionet e mundshme, Bjellorusi-Shqipëri (FOTO LAJM)

Shqipëria ka mbërritur 48 orë përpara ndeshjes në Bjellorusi. Skuadra përfaqësuese udhëtoi të mërkurën pasdite dhe paraditen e djeshme e ka kaluar në qetësi.

Shëtitje në parkun pranë hotelit ose qëndrim nëpër dhoma.

Mirëpo, kjo ka qenë për kohën e lirë, pasi një pjesë të mirë të paradites e ka zënë edhe analiza me trajnerin dhe stafin.
kombetarja

Kombëtarja ka analizuar në detaje kundërshtarin me të cilin do të startojë sot edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Gjatë paradites së djeshme, trajneri Reja dhe stafi i tij, bashkë me videoanalistin kanë parë aspektet e lojës së Bjellorusisë, pikat e forta apo edhe ato të dobëta. Skuadrës i është sqaruar me detaje sjellja taktike e kundërshtarit dhe për këtë, është përgatitur edhe kundërpërgjigjja taktike.

Trajneri Reja, në konferencën për shtyp, pranoi se ka probleme në prapavijë dhe një dyshim për gatishmërinë e Qazim Laçit. Kjo ka bërë që edhe vetë italiani të mos ua bëjë të qartë lojtarëve formacionin zyrtar.

Për ta nisur nga porta, Strakosha pritet që të startojë me treshen e mbrojtjes Gjimshiti, Dermaku dhe Veseli. Mungesat e Kumbullës dhe Ismajlit kanë prishur jo pak planet e trajnerit për këto dy takime. Aq më tepër që në konferencën e parë ai e theksoi edhe se Gjimshiti vjen me një mbingarkesë ndeshjesh.

Nga krahët, kapiteni Hysaj dhe Trashi kanë fituar kredencialet për të qenë titullarë, djathtas dhe majtas. Në treshen e mesfushës, Gjasula, Bare dhe Abrashi janë më të mundshmit, me një dyshim që Laçi mund të jetë në vend të mesfushorit të Fraiburgut. Shumë muskuj për trajnerin që zgjedh një “gladiator” dhe dy “pitbullë”, siç edhe njihen me epitet për çfarë tregojnë në fushë dhe grintën e lartë.

Në sulm, Cikalleshi dhe Manaj është dyshja që pritet t’i jepet besim për të startuar në Minsk. Trajneri e ka të preferuar këtë kombinim në sulm. Kombëtarja sot paradite mund të bëjë një seancë shkrydhjeje stërvitore në mëngjes për të lehtësuar muskujt dhe do të jetë e gatshme për ndeshjen e parë zyrtare në Ligën e Kombeve.


Shtuar 4.09.2020 14:15