Trembet kryepostieri i Shqipërisë, anulon sërish tenderin e denoncuar nga Albeu.com (FOTO LAJM)

Njoftimi i anulimit heren e dyte
Posta Shqiptare ka anuluar për të dytën herë tenderin për "Blerje të materialeve promocionale" me vlerë rreth 4.2 milion lekë.

Për disa ditë më radhë, nisur edhe nga procedurat e dyshimta me të cilat u shpall ky tender, portali Albeu.com raportoi mbi problematikën në fjalë duke hedhur dyshime të forta se fituesi i tenderit në fjalë ishte paracaktuar nga drejtori i Postës Shqiptare, Laert Duraj nëpërmjet përcaktimit të kritereve për kompanitë ofertuese si edhe datës së organizimit të tij herën e dytë, e cila përkonte me pushimet e Vitit të Ri.

Laert Duraj erdhi në krye të Postës Shqiptare në nëntor të vitit të shkuar, vetëm pak muaj pas fushatës së zgjedhjeve të 2017 ku ai ishte kandidat në listën e PS për qarkun e Gjirokastrës.

Tashmë, që prej momentit kur prokurimet bëhen online, mjeshtrat e vjedhjeve në këtë sektor nuk bëjnë më pazare me zarfet e ofertave në tavolinë, por e paracaktojnë fituesin nëpërmjet kushteve për pjesëmarrësit.

Si funksionon?
Kur organizatori i tenderit dhe njëri prej ofertuesve janë marrë vesh përmes formave korruptive për të marrë një tender, atëhere njësia që shpall tenderin fut tek kushtet paraprake për pjesëmarrje të gjitha kriteret që i përmbush ofertuesi që ofron zarfin.

Në këtë mënyrë, shmengen me stil të gjithë ata që mund të kenë oferta më të mira duke mos i lenë fare që të ofertojnë.

Kjo është hera e dytë që Posta Shqiptare anulon tenderin në fjalë me arsyetimin: Për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit, duke respektuar parimet e barazisë dhe të transparencës, sipas përcaktimit në rregullat e prokurimit publik.

Të dy tenderët janë anuluar pas publikimeve të Albeu.com në lidhje me çështjen në fjalë. Bërja publike e kësaj afere të dyshimtë, me sa duket e ka trembur kreun e Postës Shqiptare, firmën e të cilit mban poshtë dokumenti që njofton zhvillimin e këtij prokurimi me vlerë 4.2 milion lekë për blerje të materialeve promocionale.

Albeu.com do të ndjekë në vijim se çfarë do të ndodhë me prokurimin në fjalë nisur edhe nga mënyra e dyshimte, me të cilin ai u njoftua si edhe anulimet e vazhdueshme që po bëhen nga Posta Shqiptare me frikën se tashmë janë të ekspozuar.

Bashkëngjitur këtij lajmi mund të gjeni edhe publikimet e tjera në lidhje me prokurimin e Postës Shqiptare. /albeu.com/
Shtuar më 25/01/2018, ora 14:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori