Vuçiç për “Open Ballkan”: Unë dhe Rama qeshim kur i dëgjojmë komentet e atyre që s’duan

Presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiç u shpreh se ai vetë dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, qeshin me komentet e atyre që nuk e duan nismën e Minishengenit Ballkanik.

Vuçiç ishte i ftuar në një intervistë për “Happy Tv”, ku edhe ka komentuar nismën “Ballkani i Hapur”, për të cilën shprehet se është ide fantastike për Ballkanin teksa njerëzit e kanë ëndërruar për një shekulli e gjysmë ndërsa disa vuanin prej kësaj ideje.

Deri më tani vetëm 3 shtete janë pjesëmarrëse në këtë nismë, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por Vuçiç pohon se së bashku me Ramën qeshin kur marrin komente pse vendet e tjera të rajonit nuk duan të hyjnë në këtë iniciativë.

‘’Ballkani i Hapur është një ide fantastike, Ballkani është një ide fantastike për Ballkanin, njerëzit e kanë ëndërruar atë për një shekull e gjysmë. Disa madje vuanin për shkak të asaj ideje. Ne nuk duhet t’i shërbejmë askujt tjetër, ne duhet të respektojmë fqinjët tanë. Edi Rama dhe unë ndonjëherë qeshim kur marrim komente pse ata nuk duan të hyjnë në Ballkanin e hapur. Ne kurrë nuk do të ndjekim: ju do, – ju do, ju nuk do – ju nuk do. ‘’- tha Vuçiç.

Presidenti serb thotë se SHBA ka qenë e drejtë pasi e ka mbështetur nismën prej fillimit të saj, kurse për evropianët thekson se kanë rezerva për ‘Open Balkan’ pasi nuk janë ata mbrapa timonit.

‘’Amerika ka qenë me atë projekt që në fillim dhe unë jam mirënjohës ndaj amerikanëve. Amerikanët ishin të drejtë, dhe evropianët kishin rezerva, sepse ata nuk janë pas timonit. Ne mund të jemi makina e rritjes ekonomike në BE. Ballkani do të ketë përsëri normën më të lartë të rritjes vitin e ardhshëm – tha Presidenti serb.

Nga ana tjetër Vuçiç, nuk ka lënë pa përmendur edhe Kurtin, për të cilin thotë se është e pakëndshme të flasësh me të, por kohët e fundit thotë ai me ironi është me e lehtë pasi nuk do të flasë fare me të.

‘’E shihni që dikush nuk dëshiron të flasë për të ardhmen, sepse nuk është i interesuar për këtë. Nuk ka asnjë bisedë me Haradinajn, të cilin e kam parë në Berlin. Ai pastaj erdhi për ta shkatërruar atë. Në atë kohë ishte edhe Ana Brnabiç, përfaqësuese e Qeverisë, dhe pastaj ata i bindën Zvizdić dhe Haradinaj që të hiqnin dorë nga çdo ide që parashtronim”, theksoi Vuçiç./albeu.com


Shtuar 24.08.2021 13:53