Historia e pazakontë: U fejova 17 vjeçe me fotografi, në fillim nuk më pëlqeu

Rubrika “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e veçantë dhe aspak të zakontë të Xhulias. Kur ishte 17 vjeç ajo u fejua me mblesëri, me një person që e pa vetëm përmes fotografisë.

Ai jetonte në Itali dhe madje nuk ishte i pranishëm as në fejesën e tyre. Xhulia u shpreh se fillimisht përmes fotos nuk i pëlqeu, por sot ajo e falenderon Zotin që e solli në jetën e saj.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç je fejuar?

Xhulia: 17 vjet!

Ardit Gjebrea: Dhe u fejove me një fotografi?

Xhulia: Kur i tregoj sot gocës nuk e beson, jo thotë mami po më tregon ndonjë film. Jo i them është e vërtetë.

Ardit Gjebrea: Kush ta solli atë fotografi dhe si pranove duke parë thjesht një fotografi dhe ti ke sot bashkëshortin prej asaj fotografie?

Xhulia: Bashkëshorti im që është sot e kaq vite, jetonte në Itali atë kohë. Vëllai i bashkëshortit tim kishte marrë nusen tek komshiu im dhe jemi në po të njëjtën lagje dhe vjehrri im vinte tek krushku dhe i thoshte dua një gocë të mirë për Gentianin. Ai komshiu jonë, çuni xhaxhait të babit, jo komshiu, fis domethënë jemi, shiko i thotë se ka Nazmiu një gocë të mirë, punëtore, por është pak e vogël. Ai thotë e njoh Nazmiun, pi kafe çdo ditë. Kështu vazhdoi ajo historia, fjalët, bisedat. Çuni i xhaxhait erdhi një natë dhe më solli fotografinë e burrit, burri ishte në Itali.

Ardit Gjebrea: Po të pëlqeu të paktën fotografia?

Xhulia: Jo! Kur e pashë në fillim jo, kur e pashë në fotografi ashtu i dobët, ai ishte 23 vjet. Babi tha unë këtë çunin e njoh se kam pirë kafe kur vjen ne Gusht. O ba i thashë mirë e njeh ti, po si është? Është çun i mirë tha. Mirë i thashë është çun i mirë në kafe, por se di në realitet si është?

Ardit Gjebrea: Fjalë e babit për ty ligj?

Xhulia: Po, po ligj, ky është fati jot tha, unë jam i sigurt tha që ky është fati jot dhe tha beso babin, se babi nuk gabon.

Ardit Gjebrea: Edhe kështu ndodhi?

Xhulia: Po kështu ndodhi! Ne premë atë fjalën, vendosëm ditën që u fejuam që e shpallën, në 14 Shkurt ishte Dita e Shën Valentinit. Edhe ai erdhi në Gusht, nga Shkurti që ishim fejuar me fotografi erdhi në Shkurt.

Ardit Gjebrea: Pra ju u fejuat me fotografiinë?

Xhulia: Po!

Ardit Gjebrea: Pastaj ai erdhi në Gusht?

Xhulia: Po erdhi në Gusht!

Ardit Gjebrea: Kur erdhi në Gusht që e takove, cili ishte impakti i parë?

Xhulia: Nuk më pëlqeu me thënë të drejtën!

Ardit Gjebrea: Po sot të pëlqen se vetëm nuk më pëlqeu po thua deri tani?

Xhulia: Po sot po, nuk e ndërroj me asnje gjë në botë, e falenderoj Zotin që e kam.


Shtuar 19.04.2020 20:08