“Ndalimi i lëvizjes në këmbë”, PD-Ramës: Koronavirusi nuk luftohet me policë dhe me gjoba

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të ndalohet lëvizja në këmbë në të gjithë vendin pas orës 18:00 të ditës së sotme.

Pas kësaj mase, ka reaguar dhe nënkryetari i PD-së, Edi Paloka i cili e ka quajtur si qesharak vendimin e kryeministrit.

Paloka shkruan se vendi duhet të futet në karantinë të plotë, pasi koronavirusi nuk infekton part-time.

“Kryeministër qesharak dhe i rrezikshëm! Deri në orën 18.00 lejon lëvizjen e njerëzve, lëvizjen e makinave, grumbullimet masive ne qendrat e punës (fasoneri dhe call centers), shëtitjet në rrugë, por pas orës 18.00, qytetarët nuk lejohen të dalin në këmbë. Dalje paradite dhe karantinë pasdite është një tallje e dhimbshme me jetën e shqiptarëve, për faktin e vetëm se Edi Rama nuk do që të prekë lekët e oligarkëve të vet.

Koronavirusi nuk luftohet vetëm me policë dhe me gjoba ndaj qytetarëve. Karantina nuk funksionon part time. Dikush duhet ti thotë në bunkerin ku është izoluar se virusi nuk infekton part time. Zgjidhja është karantinë e plotë, fillimisht për të paktën 14 ditë, rimbursim i bizneseve, rimbursim i pagave, ushqime për të moshuarit dhe më të varfërit”, thekson Paloka.


Shtuar 16.03.2020 14:33