Shkelën protokollin me të “dyja këmbët”, çfarë ndodhi në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh sot për të diskutuar në lidhje me rreziqet që i paraqiten vendit nga kriza e koronavirusit si edhe masat për tejkalimin e situatës.

Për shkak të nevojës për të zbatuar distancës sociale, mbledhja u zhvillua online dhe secili prej ministrave, përfshi Presidentin Meta dhe kryeopozitarin Basha, u futën onlinë nga zyrat e tyre duke zhvilluar një video konferencë.

Pamjet e mbledhjes online të Këshillit të Sigurisë, u publikuan më pas nga kryeministri Rama në Facebook, ku nuk mund të anashkalohej një detaj mjaft problematik sa i përket çështjeve të sigurisë së një vendi.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në të cilin presupozohet se diskutohen çështje të rëndësishme zhvillohen në kushte të sigurie të lartë duke shmangur përgjimet apo rrjedhjet e informacionit. Të gjithë pjesëmarrësit gjithashtu janë të pajisur me certifikatë sigurie nga organet e sigurisë, duke konfirmuar se nuk janë agjentë të shteteve të tjera.

Por, duket se ky protokoll është thyer plotësisht në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Siç duket edhe nga pamjet e publikuara nga vetë kryeministri Rama, mbledhja është zhvilluar përmes aplikacionit “Zoom”, i cili është një aplikacion i thjesht që përdoret kryesisht nga kompanitë për të zhvilluar video konferenca me punonjësit e tyre nga vende të ndryshme.

“Zoom” është një aplikacion mjaft praktik për mbledhje mes punonjësve të një kompanie, por ka probleme sa i përket çështjeve të sigurisë.

Biseda përmes këtij aplikacioni nuk është e enkriptuar dhe shembujt e mëparshëm kanë treguar se në aplikacion mund të ndërhyhet na jashtë duke siguruar audion ose videon apo edhe më keq duke qenë pjesëmarrësi i “paftuar” në këtë mbledhje.

Një program i tillë u përdor pak ditë më parë nga vetë qeveria Britanike për të zhvilluar mbledhjet, por kjo shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila kërkoi urgjentisht heqjen dorë nga kjo praktikë me argumentin se aplikacioni paraqiste probleme të mëdha sa i përket sigurisë.

Ministria e Mbrotjes së Britanisë së Madhe tha më pas se ajo ia kishte ndaluar mijëra punonjësve të saj përdorimin e këtij aplikacioni.

Aplikacioni është i hostuar në SHBA dhe mund të zbritet lehtësisht në celular apo kompjuter nga Play Store ose App Store.

Si funksionon:

Pjesëmarrësit e një video konference përmes “Zoom” duhet fillimisht ta zbresin aplikacionin në celularin apo kompjuterin e tyre.

Pas kësaj, një pjesëmarrës bëhet administratori i bisedës dhe fton të tjerët aty përmes një linku që ka një kod unik.

Secili prej personave që ka kodin unik mund të futet në këtë video konferencë duke zgjedhur të marrë pjesë me video ose vetëm me zë. /abcnews.al


Shtuar 25.03.2020 16:34