“Nuk gjej dot shokun tim”, raportohet për 11 të zhdukur në tragetin e përfshirë nga flakët pranë Kurfuzit

11 persona rezultojnë të zhdukur nga zjarri që ra mëngjesin e sotëm në tragetin e pasagjerëve Euroferry Olympia që udhëtonte drejt Italisë, teksa lundronte në afërsi të Korfuzit. Informacionet e para vijnë pas numërimit paraprak të personave që kanë dalë në breg, 279 në total nga 290 që ndodheshin në bord bashkë me ekuipazhin.

Të mbijetuarit e anijes që u përfshi nga flakët ndodhen aktualisht në tre mjete lundruese dhe pritet të mbërrijnë në Korfuz për një orë. Aty roja bregdetare ka evidentuar 4 pika ku do të bëhet identifikimi i tyre për të pasur një raport më të saktë të të zhdukurve.

Më herët pasagjerët kanë pasur komunikime me disa televizione të ndryshme ku kanë shprehur frikën se jo të gjithë mund të kenë shpëtuar pasi kishte disa drejtues mjetesh që gjatë rrugës kanë qëndruar në kamionët e tyre në garazhe.

“Kam frikë për shokun tim Nikos, e kërkoj kudo, nuk e kam gjetur deri tani. Ai e kishte vënë makinën e tij përballë times në momentin e hipjes. Kishim biseduar, me profesion ishte edhe shofer dhe më kishte thënë se do të flinte në makinë. Nuk e di se çfarë mund të ketë ndodhur, shpresoj të gjendet dhe të mos ketë ndodhur asgjë e keqe. Tani po mbërrijmë në Korfuz. Të gjithë janë në agoni”, shprehet një pasagjer.

Si nisi zjarri

Flakët kanë shpërthyer pak pas nisjes së anijes nga porti i Igumenicës në orët e para të së premtes në Ereikousa. Alarmi ka rënë në orën 04:30 të mëngjesit dhe menjëherë ka nisur procesi i evakuimit. Pasagjerët janë larguar nga anija me varka shpëtimi. Për fat të mirë moti ishte i mirë dhe operacioni i shpëtimit ka shkuar pa probleme.


Shtuar 18.02.2022 09:38