Ballafaqimi me presionin amerikan, Blinken e takon Vuçiçin, Kurtin jo

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka pasur “një bisedë produktive” me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në Mynih. Në kryeqendrën e Bavarisë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po përpiqet ta përballojë presionin e shtuar amerikan për formimin e Asociacionit. Blinken nuk takoi Kurtin.

Kosova po vazhdon t’i rezistojë presionit amerikan për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është bërë kërkesë e qartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të shtunën në Mynih e ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin tha se ka pasur “një bisedë produktive”.

“Biseduam për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe për atë se sa e vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën”, shkroi Blinken në Twitter, duke publikuar dy fotografi nga takimi.

Në Mynih për Konferencën e Sigurisë kanë qëndruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani. Megjithatë, ata nuk patën një takim me kreun e diplomacisë amerikane.

Në Konferencën e Sigurisë mori pjesë edhe Zëvendës Presidentja e SHBA-së, Kamala Harris.

Blinken të dielën tregoi përmes Twitterit se është larguar nga Gjermania. Ai do të shkojë në Turqi për një vizitë zyrtare për t’i ofruar ndihmë Ankarasë për pasojat e tërmetit shkatërrues që i la të vdekur dhjetëra mijëra njerëz.

“Ndërsa largohem nga Mynihu, jam i motivuar nga arritjet që kanë bërë aleatët dhe partnerët tanë në mbështetje të Ukrainës përmes unitetit kolektiv, veprimit dhe sakrificës. Ne do të mbetemi të bashkuar dhe do të shohim fitoren për ukrainasit që luftojnë për fatin e vendit të tyre. Ndalesa ime e radhës është Turqia”, shkroi Blinken.

Kjo konfirmoi se ai nuk do të takohej me Kurtin, i cili është nën presion të madh për të pranuar diçka me rëndësi historike për Kosovën. I gjendur përballë presionit në rritje nga Perëndimi, në një seancë të Kuvendit më 2 shkurt, Kurti i paraqiti gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit./express/