Në kërkim për kultivim kanabis, arrestohen 2 persona në Krujë

Policia ka arrestuar dy persona të shpallur në kërkim për kultivim kanabisi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Krujë, operacioni policor i koduar “Kërkimi”.

Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Shërbimet e Komisariarit të Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në inteligjencën policore për vendndodhjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kërkimi”, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Në fshatin Shkozë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kapën shtetasin A. F., 36 vjeç, banues në Thumanë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar 36-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Shtetasi A. F., në bashkëpunim me babanë e tij dhe me një shtetas tjetër (i arrestuar më parë), ka kultivuar 925 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, në 10 sera në afërsi të banesës së babait të tij.

Gjithashtu, në Fushë Krujë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kapën shtetasin në kërkim S. T., 35 vjeç, banues në Fushë Krujë, ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 11.07.2023 09:09