Interi studion pistën “Kramariç”

Interi këto javë po i kushton më shumë rëndësi rinovimeve për të “blinduar” lojtarët më të mirë të ekipit.

Ditët e fundit është përfolur shumë dhe për disa goditje me parametra zero. Onana tashmë ka lidhur një para kontratë me zikaltërit ku i ka dhënë fjalën që pas janarit do të nënshkruaj me ta dhe në qershor do te zbarkojë në Milano. Portieri 25-vjeçar do të jetë zëvendësuesi i Handanoviç.

Më pas doli emri i Lacazette për të cilin Arsenal nuk do të zgjasë kontratën me të dhe Inter po shikon mundësinë për ta transferuar me parametra zero në qershor. Së fundmi klubi italian ka hedhur si ide emrin e sulmuesit kroat, Kramariç. Agjenti i tij Vincenzo Cavaliere ka deklaruar për mediat italiane interesimin e klubit zikaltër për Kramariç.

“Kramariç është momentalisht i përqëndruar për të fituar formën që pati vitin e kaluar që realizoi 25 gola dhe 6 asist për vetëm 34 ndeshje me Hoffenheim. Ai është i lumtur tek klubi gjerman por sigurisht ekipe të mëdha kërkojnë gjithmonë të afrojnë lojtar si ai  dhe Interi është njëri prej tyre që është i interesuar. Interi është një klub I madh dhe Kramariç besoj se do të bënte shumë mirë në Itali duke marrë parasysh që tek Inter do të gjejë dhe dy bashkëkombasit e tij, Brozoviç dhe Perisiç,” kështu është shprehur agjenti i sulmuesit 30-vjeçar./h.ll/albeu.com


Shtuar 16.11.2021 08:17