Mbledhja Ukrainë-Turqi: Marrëveshja për “korridoret e grurit” mbetet në fuqi edhe pas 22 nëntorit

Marrëveshja e brishtë e Detit të Zi për grurin do të vazhdojë edhe pas 22 nëntorit, kur edhe pritej të përfundonte. Lajmin e bëri të ditur ministri ukrainas i Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov të dielën.

Kubrakov, komentet i bëri gjatë një mbledhjeje me ministrin turk të Mbrojtjes Hulusi Akar në Stamboll.

Deklaratat vijnë në një kohë kur zyrtarët rusë, duke përfshirë këtu edhe presidentin Vladimir Putin, kanë vënë në dyshim të ardhmen e marrëveshjes.

“Palët e përfshira në këtë iniciativë, OKB, Turqia dhe Ukraina, shprehën gatishmërinë e tyre për ta vijuar operacionin dhe siguruan se do të bëhet gjithçka për ta zbatuar me sukses. Nuk ka asnjë dyshim se korridori i grurit do të vijojë të jetë funksional edhe pas 22 nëntorit,” tha Kubrakov.

Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e inspektimeve më të shpejta të anijeve nga Qendra e Përbashkët Koordinuese. Kjo lejon “një rritje të konsiderueshme të vëllimit të eksporteve të grurit në vendet e Afrikës, Azisë dhe Evropës dhe parandalon formimin e radhëve të inspektimit,” tha ai.

Iniciativa për grurin e Detit të Zi, e cila u ndërmjetësua nga OKB-ja dhe Turqia, u nënshkrua nga përfaqësues nga Rusia dhe Ukraina në korrik.