Speciale: Si po trashëgohen dinastitë e biznesit shqiptar (FOTO LAJM)

Ikja e Dritan Hoxhës, Vjollca Hoxha dhe të bijat:

Krijimi i Top Albania Radio, më vonë i TCH dhe në vijim planet e tjera ambicioze për të arritur standardin e kërkuar me punë, ngulm dhe ëndrra. Shkëputja e tij nga jeta i ri i la stafetën së shoqes, nga A deri në Z. Ndërsa me rritjen e të bijave, shikojmë gjithnjë e më tepër angazhimin e tyre në “perandorinë” e trashëguar nga i ati.
Nga Deada Hyka dhe Elona Bedalli, Monitor - Ata janë gjenerata e dytë. Të rinj, ambiciozë, të shkolluar jashtë, me ide të qarta, vizion, por mbi të gjitha trashëgimtarë “perandorish” që përbëjnë mozaikun e biznesit shqiptar. Janë krenarë që janë fëmijët e atyre prindërve dhe fjala “hije” nuk i tremb dhe as i vë në pozita të vështira. U përkasin fushave të ndryshme, nga ndërtimi, shitjet me pakicë, fasoni, argjendaria, por edhe prodhimi, argëtimi, etj.

Po flasim për fëmijët e sipërmarrësve shqiptarë që tashmë ia kanë kaluar “frerët” bijve të tyre, të bindur se ata do të vazhdojnë të jenë po aq të suksesshëm.

Dhe përgatitja e kësaj “armate” ka nisur herët, që me edukimin e tyre në shkollat më të mira. Kryesisht i është besuar modelit anglosakson, por edhe atij italian apo përtej oqeanit. Pothuajse të gjithë janë rikthyer për të vazhduar stafetën, por ka edhe raste kur oferta e marrë nga jashtë ka qenë më joshëse.

Përtej vështirësive, milionave të investuara në edukim, mund të themi se tashmë ka nisur të fryjë një erë e re, ajo e fillesave të kulturës së trashëgimisë.

Megjithatë, si çdo gjë, edhe në këtë rast medalja ka dy anë, atë pro dhe kundër të kalimit të trashëgimisë te fëmijët.

Një ekspert i menaxhimit të biznesit, i cili shkruan këshilla, citonte një shembull konkret kur argumentonte rreth kësaj teme: “Kur djali im, ende adoleshent (djali im i vetëm) shprehu entuziazëm rreth marrjes së biznesit tim të financave të korporatave, unë i thashë atij: ‘Në rregull, le të shohim se si kjo do të funksionojë deri në momentin e duhur. Ti ke edhe katër vjet të shkollës së lartë, të ndjekur nga rreth gjashtë vjet universitet (diplomë e thjeshtë dhe MBA), të ndjekur dhe nga tetë deri në dhjetë vjet përvojë pune. Kjo nënkupton se ti do të jesh gati të marrësh biznesin tim pas rreth 20 vitesh. Ka një sërë pasigurish deri atëherë! Do të duash ende ta marrësh biznesin pas 20 vitesh? A do të jem në gjendje të drejtoj biznesin për 20 vitet e ardhshme?’”.

Në botën e pasur, atë që flitet për miliona euro e dollarë ka edhe raste refuzimesh, nga ato të tipit “Thuaj lamtumirë trashëgimisë sime!”, kur prindërit refuzojnë kategorikisht t’ia kalojnë pasurinë e fituar fëmijëve të tyre. /albeu.com/
Shtuar më 10/01/2016, ora 17:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori