Ndodh në Maqedoni! Adoleshenti grabit disa pika bastesh në Shkup duke kërcënuar me armë lodër

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se gjatë ditës së sotme ka ndaluar një të mitur nga Shkupi pasi i njëjti dyshohet për grabitje. I mituri 17-vjeç nga fshati Zelenikovë i Shkupit në disa raste me pistoletë të plastikës ka grabitur bastore sportive në rajonin e Shkupit. Ai është ndaluar në stacion të policisë dhe gjatë një bisede zyrtare në prani të prindit, avokatit dhe inspektorit të të miturve ka pranuar se kishte kryer edhe dhjetë vepra penale.

“Më datë 27.05.2022 rreth orës 09.00 në një lokal bastesh sportive, 17-vjeçari me kërcënim me armë të plastikës i ka marrë para punonjëses dhe po atë ditë ka kryer një grabitje në mënyrë identike në një lokal tjetër bastesh sportive. Të njëjtën vepër 17-vjeçari e ka kryer më datë 26.05.2022 në një bastore sportive në zonën e Karposhit, më datë 23.05.2022 në një lokal bastesh në zonën e Aerodromit, më datë 17.05.2022 në zonën e Kisella Vodës, më 06.05.2022 dhe më 30.04.2022 në pikat e basteve në zonën e Aerodromit. I mituri ka pranuar se ka kryer edhe tre grabitje të tjera në baste sportive në zonën e Aerodromit, dhe atë me 27.03.2022, më 23.03.2022 në orën 21:00 dhe më 3 dhjetor 2021 rreth orës 18:00, kur me kërcënim u ka marrë para punonjësve. Personit i janë gjetur dhe konfiskuar objekte të lidhura me krimet”, thonë nga MPB./tv21