"Ski Center Gjakova 2015", VETËVENDOSJE! tallet me komunën Gjakovë (FOTO LAJM)

Sot më 3 janar 2015, Lëvizja VETËVENDOSJE! në Gjakovë organizoi një aksion simbolik në lidhje me situatën emergjente të krijuar nga bllokimi i rrugëve nga reshjet e dëborës. Në qendër të qytetit u shpalos panoja me mbishkrimin "Ski center Gjakova 2015", e cila kishte për qëllim të ironizonte me neglizhencën dhe shpërfilljen që institucionet komunale shfaqën karshi këtij problemi dhe shqetësimeve të mëdha të qytetarëve.

"Për pak çaste menduam se mos kjo gjendje është pjesë e ndonjë projekti madhor nga ata të konferencës së donatorëve për shndërrimin e Gjakovës në një qendër skijimi me teleferikë. Por shpejt u kujtuam se projektet e mëdha janë vetëm për fushata.

Situata të tilla si këto janë momentet në të cilat vërehet serioziteti dhe profesionalizmi i një qeverisjeje. Në këtë rast, qeverisja aktuale lokale nuk ishte as serioze e as profesionale. Për disa ditë me radhë, i tërë qyteti ishte në kolaps dhe i bllokuar nga bora. Akset kryesore të qytetit ishin të mbuluara nga akulli dhe lëvizja e veturave ishte e pamundur. Në gjendje të njëjtë ishin edhe trotuaret të cilat e vështirësonin shumë lëvizjen e qytetarëve. Në bllokadë totale ishin fshatrat e komunës tonë ku zona të tëra për ditë me radhë u bllokuan totalisht.

Para gjithë kësaj situate, Komuna e Gjakovës zgjodhi heshtjen. Taskforca e krijuar për këto situata si duket ka qenë e hutuar me festime. Këto ditë nuk pamë as postime në Facebook e Twitter, nuk pamë as konferenca e emisione pompoze në media kurse ankesat e pyetjet nga qytetarët nuk mungonin. Militantët e komunës nuk kanë reshtur së përmenduri sesi Gjakova është shpallur komuna më transparente, mirëpo duam t’ua rikujtojmë atyre se transparenca e vërtetë është gjendja pranë qytetarëve kur ata kanë më së shumti nevojë.

Falënderuar motit më të mirë dhe punës vullnetare të disa firmave dashamirëse rrugët kanë filluar të lirohen. Komuna nuk duhet të harrojë që dimri fillon më 22 dhjetor dhe mbaron me 21 mars, pra situata të tilla mund të përsëriten lehtësisht në reshjet e ardhshme të borës. Komuna duhet të ndëshkojë të gjithë operatorët e papërgjegjshëm dhe të lidhë kontrata me firma serioze të cilat duhet t’i monitorojë gjatë kryerjes së punëve. Tashmë koha e festave ka kaluar dhe komunarët duhet t’i kthehen realitetit i cili po rëndohet dita ditës, thuhet nga VetëVendosje!, dega Gjakovë. /albeu.com/
Shtuar më 03/01/2015, ora 17:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori