Skandali me tekstet shkollore, MAS: Imazhet të manipuluara (FOTO)

Pëlqej
Pas publikimit të disa prej materialeve nga tekstet që mësojnë në shkollë fëmijët shqiptarë, të cilat kanë përmbajtje dhunë dhe nxisin urrejtjen vjen edhe një tjetër reagim i Ministres së Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla.

Nëpërmjet një deklarate ministrja Lindita Nikolla shprehet se imazhet e shpërndara nëpër rrjetet sociale nuk janë pjesë e sistemit arsimor parauniversitar ose janë të manipuluara.

“Vlen për t’u theksuar që pjesa dërrmuese e imazheve të shpërndara në rrjetet sociale gjatë këtyre ditëve, ose nuk janë pjesë e sistemit arsimor parauniversitar ose janë të manipuluara”, thuhet në deklaratë.

Ministra e Arsimit është shprehur ndër të tjera se, “Ministria e Arsimit dhe Sportit thekson se fakte të tilla përforcojnë dhe nxisin më tej nevojën dhe domosdoshmërinë për vazhdimësinë e reformave të ndërmarra prej saj në drejtim të teksteve shkollore. Të gjitha tekstet që janë sot në institucionet e arsimit parauniversitar janë tekste të katalogut të miratuar nga “Komisioni për Miratimin e Teksteve Shkollore” pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në vitin 2011-të. Që prej shtatorit të vitit 2013-të, MAS ndërmori një proces të gjerë konsultimesh me përfaqësues nga shoqëria civile, Avokati i Popullit, mësues, Akademia e Shkencave, media dhe aktorë të tjerë të fushës për të diskutuar rreth problematikave të teksteve shkollore. Reflektimet e mbledhura nga ky proces ju përcollën nga MAS të gjitha shtëpive botuese, të cilat pasi bënë korrigjimet finale të teksteve konstatuan 120 tekste shkollor me probleme të cilat u hoqën nga katalogu”.

Ministrja nënnvizoi më tej se është arritur në konkluzionin që alterteksti ka qënë një dështim me sukses, prandaj premtoi ndryshim rrënjësor të teksteve në shkolla.

“Gjetjet e deritanishme nga MAS, por dhe publikimet në media të teksteve të papërshtatshme përforcojnë dhe më shumë pozicionin e Qeverisë shqiptare që alterteksti ishte një dështim me sukses. Në këtë kuadër MAS po ndërmerr gjithë reformën e nevojshme për ndryshimin në mënyrë rrënjësore të sistemitteksteve shkollore. Sidoqoftë MAS ka krijuar një adresë të posaçme elektronike:[email protected] ku ftojmë të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit të dërgojnë foto të teksteve me probleme në përmbajtje të së cilës të jenë të shënuara dhe titulli i tekstit, emri i autorit dhe numri i faqes së tekstit ku konstatohen këto probleme. Secili prej këtyre rasteve do të ndiqet me seriozitetin maksimal nga MAS. Ministria e Arsimit dhe Sportit rithekson dhe njëherë se për këtë institucion fëmijët shqiptar janë të shtrenjtë dhe se do bëjë gjithçka i mundëson kuadri ligjor për të mos lejuar deformime të tilla në formimin e personalitetit të nxënësit”.
Shtuar më 19/09/2014, ora 21:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori