Ndërpreu sfidën në Karaburun, pas 28 orësh not nga Otranto, Eva Buzo dërgohet në spitalin e Vlorës

Atletja shqiptare, Eva Buzo, që ndërpreu në Karburun sfidën e saj të guximshme për tu kthyer me not nga Otranto në Vlorë është shtruar në spitalin e Vlorës për shkak të problemeve shëndetësore që shfaqi gjatë rrugëtimi sfidues.

Gjatë 28 orëve not, ajo ka shfaqur probleme edhe me të folurin nga kripa e tepërt. Në këto kushte, trajnerët e kanë këshilluar të ndalojë notin, e për rrjedhojë Eva ka ndërprerë sfidën e guximshme.

35-vjeçarja është dërguar në reaminacion, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ajo është vendosur menjëherë në terapi intensive dhe sipas mjekëve, ka hipotermi për shkak të qëndrimit në ujë.

Evës i kishin  mbetur pak orë për të mbërritur në Vlorë, atje ku ajo i kishte vendosur qëllim vetes si destinacion.

Mendimi për të ndërmarrë notin drejt origjinës së saj, Evës i erdhi gjatë periudhës së izolimit nga pandemia, kur duke parë në Google Maps disa vende të mundshme për të notuar, u ndal në distancën midis Italisë dhe Shqipërisë.

Gjatë rrugëtimit me not Eva  u ndoq nga 2 trajnerë që hipin me radhë në një kajak.

Eva është një avokate në Australi dhe e angazhuar masivisht me problematika sociale, në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ka përvojë pune në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi, për organizata të ndryshme duke përfshirë World Vision dhe Save the Children./albeu.com/

 

 

 


Shtuar 23.06.2023 13:57