INSTAT: Zhvillimi i Censusit u pengua nga dështimi i tenderit të tabletëve

INSTAT, njësia përgjegjëse për zhvillimin e Censusit, sqaroi posaçërisht për “Monitor” se, Censi i Popullsisë dhe Banesave, i planifikuar në tetor të këtij viti, është shtyrë si pasojë e mossigurimit të mjeteve për një prej proceseve, atë të grumbullimit dhe njëkohësisht monitorimit të informacionit në terren, që janë tabletët.

Tre vitet e fundit, INSTAT ishte përfshirë në përgatitje intensive për zhvillimin e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2022, por së fundmi njoftuat pezullimin e procesit. Ju lutem, na vini në dijeni të arsyeve të qenësishme që penguan zhvillimin e tij?

Siç është njoftuar edhe nga INSTAT, Censi i Popullsisë dhe Banesave është shtyrë si pasojë e mossigurimit të mjeteve për një prej proceseve, atë të grumbullimit dhe njëkohësisht monitorimit të informacionit në terren që janë tabletët.

Ndryshe nga Censi i Popullsisë dhe Banesave i vitit 2011, INSTAT në këtë cens do të mbledhë informacionin pranë familjeve me tabletë, me të cilët përpunimi i informacionit të mëtejshëm do të jetë më i shpejtë, më i saktë, totalisht i monitorueshëm dhe do të mundësojë publikimin e rezultateve në një periudhë më të shpejtë se sa ai i vitit 2011.

A keni një datë të re kur do të zhvillohet?

INSTAT do të propozojë në planin vjetor të vitit 2023 periudhën dhe datën e kryerjes së Censit.

INSTAT ka zhvilluar një projekt pilot për censin në disa qarqe, si rezultoi ky demonstrim?

Pilot Cens ka si qëllim testimin e proceseve të censit dhe jo publikimin e rezultateve të tij, referuar rekomandimeve të Eurostat dhe Kombeve të Bashkuara.

Të gjitha të dhënat e mbledhura nga Pilot Cens u analizuan dhe u hartuan gjetjet kryesore.

Këto gjetje u përdorën vetëm për qëllime të brendshme, të cilat shërbyen në përmirësimin e pyetësorit, materialeve, aplikacioneve, si dhe planeve të tjera që kanë lidhje me logjistikën dhe strategjinë e rekrutimit.

Shumica e vendeve në Europë e zhvilluan Censin e Popullsisë dhe Banesave vitin e kaluar. Me këtë shtyrje, a rrezikohet Shqipëria të bëhet e pakrahasueshme me vendet e tjera për tregues që lidhen me demografinë?

Raundi i Censeve i referohet periudhës 2020 – 2021, sipas rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, edhe vende të tjera europiane, për shkak të pandemisë e shtynë kryerjen e tij në vitin 2022.

Eurostat, për të shmangur problemet e standardizimit të të dhënave dhe mundësimit të krahasueshmërisë së tyre, kërkoi nga vendet anëtare, të cilat nuk e kryen Censin në vitin referencë, rillogaritjen e rezultateve kryesore për vitin 2021.

INSTAT shprehu gatishmërinë për rillogaritjen e rezultateve kryesore të Censit për vitin referencë 2021, pavarësisht se mbledhja e tyre do të jetë në vitin 2023. Në këtë mënyrë, edhe Shqipëria do të jetë e krahasueshme për sa u takon rezultateve kryesore të Censit me vendet e tjera.

Pse rezultatet mbi totalin e popullsisë në Shqipëri (rishikimi vjetor i popullsisë) në vitin 2021 nxjerrin një popullsi banuese në vend më të madhe në numër se ajo që u mat nga censi i vitit 2011 sipas burimeve tuaja?

Për llogaritjet vjetore të popullsisë banuese në Shqipëri si pikënisje janë rezultatet e Censit të axhustuara me rezultatet e anketës pas Censit. Sipas rezultateve të Cens 2011, popullsia banuese rezultoi 2.800.138, ndërkohë që nga anketa pas Censit rezultoi një nën mbulim prej 3,8%.

INSTAT axhustoi popullsinë banuese sipas moshës dhe gjinisë të Censit, duke shtuar edhe popullsinë që rezultoi e pambuluar nga Anketa pas Censit, dhe këtë e përdori për vlerësimet e ardhshme vjetore të popullsisë. Kjo metodë është ajo që rekomandohet nga Eurostat dhe ndiqet nga të gjithë vendet që kryejnë një Cens tradicional.

Popullsia e Censit, e axhustuar me rezultatet e APC ishte 2.907.368, e cila rezulton më e lartë se ajo e 1 janar 2021, e cila u llogarit 2.829.741 banorë./MONITOR/