Si të aplikoni online për të përfituar nga rindërtimi pas tërmetit (FOTO LAJM)

Në faqen e Bashkisë së Durrësit nga dita e sotme është hapur një dritare për të raportuar dëmet nga tërmeti. Në krye të faqes të shfaqet “Raporto dëmet e tërmetit (Kliko këtu)” dhe pasi klikon në këtë link të hapet një dritare, ku kërkohet informacion i përgjithshëm, si numri i telefonit, emri dhe mbiemri i aplikuesit, rajoni, njësia administrative, tipi i dëmeve. Në aplikim të kërkohet të hedhësh deri në 5 foto me dëmet e shkaktuara nga tërmeti.

https://survey123.arcgis.com/share/784176f6b8574a3c92880f4de9455786

Ka dhe një kuti ku mund të shkruash informacion shtesë dhe më pas informacioni dërgohet online.

Pas dërgimit të raportimit të dëme online, banorët e dëmtuar do të duhet të dorëzojnë dhe dokumente të tjera, si psh aktin e pronësisë.

Nga një kërkim i thjeshtë, për momentin ky aplikim është i disponueshëm vetëm në Bashkinë e Durrësit, ndërsa kjo dritare nuk shfaqet ende në faqen e internetit të Bashkisë Tiranë, Vorë dhe Lezhë, edhe ato të prekura nga tërmeti.

Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj deklaroi të dielën se procesi i rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti do të nisë me 29 janar me aplikimin online, i cili është i detyrueshëm dhe për këtë qytetarët do të kenë afat 30 ditë, për t’u pajisur në fund me një dosje ligjore që do jetë e nevojshme për hapat në vazhdim. Rindërtimi do të nis në datën 10 mars, pasi të ketë përfunduar aplikimi, vlerësimi, apelimi, përcaktimi i zonave ku do të ndërtohet dhe modeli i banesave.

Ahmetaj ka pohuar se për dëmtimet e rënda të tipit DS4 dhe DS5, rimbursimi do të jetë i plotë, ndërsa për dëmtimet mesatare të tipit DS3, dëmshpërblimi do të jetë deri në 500 mijë lekë.


Ahmetaj tha se deri tani janë inspektuar rreth 48 mijë banesa dhe po vijon procesi i vlerësimit të thelluar. “Jemi në proces intensiv me bashkitë për zonat e reja. Sot janë identifikuar 25 zona, në 10 bashki.


Jemi në fazë të avancuar me masterplanet, në Shijak, në Laç, ku do ndërtohen 500 shtëpi me qira nga qeveria turke, si dhe në Thumanë. Komiteti Kombëtar i Rindërtimit të mërkurën do t’i propozojë qeverisë site të reja në Durrës, Lezhë, Laç, Tiranë e Kavajë.

Menjëherë pas të mërkurës, në të gjithë territorin fillojnë masterplanet për të kaluar pastaj në projektet e detajuara të ndërtimit”.

Shqipëria u godit rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, ku shumë banesa dhe pallate janë aktualisht të pabanueshme, me dëmet më të rënda në Durrës, Laç e Tiranë.

Për të sistemuar banorët, shtëpitë apo pallatet e të cilëve do të prishen pasi janë të pariperueshme, qeveria po përgatit kuadrin ligjor për ndërtimin e zonave të reja.

Instituti i Ndërtimit ka konfirmuar se pritet që këtë javë të mbyllet akt-ekspertiza e thelluar për 316 objekte shumëkatësh dhe 4075 shtëpi banimi. Të konfirmuara për shembje aktualisht janë 112 pallate dhe 343 shtëpi.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vlerësimi paraprak i dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntori arrin në një shifër të lartë prej 1 miliardë eurosh./Monitor

Shtuar më 29/01/2020, ora 16:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori