“Euro, apartamente dhe vilë”, zbardhet dosja, SPAK: Ahmetaj ka përfituar në mënyrë të parregullt nga Zoto dhe Mërtiri

Ditën e sotme SPAK kërkoi arrestimin e Arben Ahmetajt. Menjëherë pas kësja, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ditën e nesërme ka thirrur Mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Në dosjen hetimore në ngarkim të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj thuhet se ky i fundit mori drejtpërdrejt përfitim të parregullt për çështjen e inceneratorëve, nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në periudha të ndryshme, duke futur dhe emra të tjerë në këtë ‘skemë’.

Konkretisht, sipas dosjes Ahmetaj ka përfituar shumën 170480 euro në vitin 2016 dhe 2017, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke e paraqitur si pagesë e bërë të një shtetasi tjetër dhe Arben Ahmetajt.

Ai ka përfituar gjithashtu apartamente, truall dhe ndërtesë.

Dosja: 

“Ka marrë drejtpërdrejtë ose tërthorazi, përfitim të parregullt, për vete ose persona të tjerë, konkretisht shumën 170480 euro në vitin 2016 dhe 2017, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke e paraqitur si pagesë e bërë të një shtetasi tjetër dhe Arben Ahmetajt, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj një shtetasi., të dy apartamenteve me sipërfaqe 124.15 metra katrorë dhe një me sipërfaqe 148.8 m katrorë në vendin e quajtur Selitë, vlerë kjo e paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasi Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve të tjerë.

Truall+ndërtesë në Hamallaj, e përfituar në vitin 2017, nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në mënyrë të tërthortë ndërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në emër të Zotos, në vijim në emër të një personi tjetër, e më pas në emër të bashkëjetueses së Ahmetajt. Shumën prej 130.000 eurove në vitin 2017 dhe 2018, duke mbuluar natyrën e vërtetë të burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë ndaj një personi dhe ndaj Arben Ahmetajt, përkundrejt një shitje ndaj një tjetër personi, të një apartamenti dhe një garazhi.”, thuhet në dosjen hetimore.

/Albeu.com.


Shtuar 10.07.2023 17:51