Zjarri në pyllin e Peshtanit në Fier, gjenden arka me fishekë, dyshohet se janë fshehur që në ‘97

Vijojnë edhe sot zjarret në pyllin e Peshtanit dhe Kreshpanit në Fier. Një vatër e cila ka qëndruar aktive përgjatë natës ka marrë përhapje më të gjerë duke rrezikuar edhe banesat në Kraps por u neturalizua shpejt nga zjarrfikësit.

Në zonë ndodhen 6 mjete zjarrfikëse, 80 forca ushtrie dhe në ndihmë të tyre është edhe helikopteri Cougar.

Sakaq burime bëjnë me dije se sot në pyllin e Peshtanit në Fier janë dëgjuar shpërthime municionesh. Pranë rrugës Fier- Cakran gjendet një kuti e mbushur me fishekë të cilat përdoren për automatike kallashnikov, raporton TCH. Nuk dihet se cilës periudhë i përkasin, por mendohet se janë fshehur në këtë zonë nga trazirat e vitit ‘97. Shpërthimi i fishekëve është dëgjuar edhe një ditë më parë ndërsa një sasi e madhe e tyre si pasojë e flakëve kanë dalë edhe në rrugë.

Banorë të zonës deklaruan jashtë kamerave se në këto ditë kur pylli është përfshirë nga flakët shpesh janë dëgjuar shpërthime të fishekëve, ndërsa arkat me municion kane dale edhe ne aksin rrugor.

Nuk dihet nëse ka të tjera municione në këtë zonë dhe të kalibrit më të madh, ndërkohe që situata nga zjarret vazhdon të jetë në alert./albeu.com/