Barcelona triumfon me vështirësi ndaj Getafes (VIDEO)

Barcelona fiton por nuk bind. Katalanasit mposhtën me rezultatin 2-1 skuadrën e Getafes në ndeshjen e vlefshme për javën e 24 në La Liga.

Ishte fillimisht minuta e 33’, kur Antoine Griezmann shfrytëzoi një asistim perfekt nga Lionel Messi, për të zhbllokuar shifrat e këtij takimi.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, Sergi Roberto i asistuar nga Junior Firpo dyfishoi avantazhin e kampionëve të La Liga.

Në pjesën e dytë, Getafe ushtroi një presing fenomenal, duke tregoi superioritet në fushën e blertë. Lodhja e miqve u shpërble në minutën e 66’, teksa shënuan me anë të Angel Rodriguez, për të mbajtur Barçën në presion deri në vërshëllimën e fundit.

Ndërkohë nuk kishte vend për Rei Manajn në këtë ndeshje, teksa ishte thirrur, por qëndroi gjatë gjithë kohës në stolin e rezervave, pasi trajneri Setien, vendosi të mos e aktivizojë.

Me këtë fitore, Barca barazon përkohësisht me pikë (52) Real Madridin, për të mbajtur vendin e dytë në renditjen e La Ligas.


Shtuar 15.02.2020 17:32