Anija rrezikoi të mbytej në mes të detit në Karaburun, shpëtohen turistët

Një anije me tursitë rrezikoi të mbytej këtë të shtunë në zonën detare të Karaburinit.

Për fat të mirë 28 turistët që ndodheshin në anijen që rrezikoi të fundosej shpëtuan.

Uniformat blu bëjnë me dije se ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë Kufitare ka bërë të mundur lokalizimin dhe nxjerrjen në breg të mjetit lundrues anije turistike me 28 pasagjerë në bord. Burime nga policia bëjnë me dije se anija kishte pësuar defekt dhe ndodhej në Karaburun, përballë Gjirit të Kallogjerit, në Raguzë.

Anija e cila ka pësuar defekt quhet DIVA me kapacitet maksimal 40 persona. Pasagjerët e anijes Diva, kanë zbritur në Portin e Vlorës dhe nuk kanë dëmtime dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Aktualisht Anija Diva ndodhet në det dhe po mbahet në mbikqyrje nga Policia Kufitare dhe Migracionit.

Njoftimi i policise

Policia Kufitare/ Shërbimet e Policisë Kufitare në Vlorë dhe në Durrës iu shkojnë në ndihmë në 3 raste, disa shtetasve që rrezikuan të mbyteshin në det.

-Mesditën e sotme, një shtetase ka telefonuar për të kërkuar ndihmë, pasi anija turistike me të cilën ajo po lundronte bashkë me 27 shtetas të tjerë, kishte pësuar defekt, në zonën e Karaburunit.

Disa minuta më pas, 2 shtetas finlandez kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi në zonën e quajtur “Shpella e Piratëve”, kishin humbur kontrollin e mjetit lundrues kanoe, për shkak të dallgëve, dhe e kishin të pamundur kthimin në breg.

Menjëherë, dy skuadra të Policisë Kufitare Vlorë janë nisur bashkë me mjetet lundruese të Policisë Kufitare, në vendet ku kishin ngelur në det dy mjetet lundruese.

Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë Kufitare ka bërë të mundur lokalizimin dhe nxjerrjen në breg të mjetit lundrues anije turistike me 28 pasagjerë në bord dhe të mjetit lundrues kanoe me të cilin lundronin dy shtetasit finlandezë.

-Gjithashtu, në plazhin e Spillesë, shërbimet e Policisë Kufitare Durrës, bashkë me rojën e plazhit, kanë shpëtuar 2 shtetas që rrezikuan të mbyteshin ndërkohë që po laheshin në det. 44-vjeçari dhe djali i tij 9 vjeç u nxorrën në breg dhe iu dha ndihma e parë.

Të gjithë shtetasit që rrezikuan që mbyteshin në det, aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar punonjësit e Policisë Kufitare, që i shkuan në ndihmë në kohë rekord./albeu.com/