Shitje e mallrave kontrabandë dhe pa faturë, arrestohet administratorja e shpallur në kërkim

Policia ka vënë në pranga një nga administratoret e shpallur në kërkim, pasi ndaj saj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

“Kapet një shtetase e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Faqet Online”.  Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në bashkëpunim me strukturat e DVP Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetases M. G., 36 vjeçe, banuese në Fier, e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Faqet Online”, i zhvilluar 3 ditë më parë nga Policia e Tiranës.  Për këtë shtetase, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. 36-vjeçarja iu dorëzua shërbimeve të DVP Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se nga operacioni  janë lëshuar 22 urdhër arreste dhe ky është i 16 që është ekzekutuar.

Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se, këta shtetas nëpërmjet faqeve online në rrjete sociale, reklamonin dhe tregtonin produkte të ndryshme, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri kontrabandë, dhe për shitjet e tyre, nuk jepnin faturë tatimore, duke shmangur pagesën e taksave dhe tatimeve.