Bilanc i frikshëm, rreth 20,000 viktima nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha se numri i të vdekurve në vendin e tij ka arritur në 16,546.

Në Siri, janë raportuar të paktën 3,162 vdekje.

Kjo do të thotë se numri i përgjithshëm i të vrarëve nga tërmeti i së hënës po i afrohet tani 20,000.

Ndërkohë që ekipet e  kërkim shpëtimit vijojnë punën, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka konfirmuar se karvani i parë i ndihmave të OKB-së ka mbërritur në veri-perëndim të Sirisë, por shtoi se nevojitet shumë më tepër ndihmë për zonën e kontrolluar nga rebelët.

Në një deklaratë, Guterres tha se autokolona përbëhej nga gjashtë kamionë që mbanin strehim dhe “furnizime të tjera ndihmash të nevojshme dëshpërimisht”.

“Më shumë ndihmë është në rrugë e sipër, por nevojiten shumë më tepër, shumë më tepër. Ne duhet t’i vendosim njerëzit në radhë të parë”, tha ai.

Fjalët e tij vijnë pasi organizata lokale vullnetare siriane, Helmetat e Bardha, postoi në Twitter zhgënjimin e tyre që pajisjet e nevojshme për përpjekjet e shpëtimit ajror nuk ishin dërguar me kolonën./albeu.com


Shtuar 9.02.2023 17:36