Sela dhe Memedi: Kongresi i Manastirit më 1908, sot Aleanca për Shqiptarët (FOTO LAJM)

Me rastin e 107 vjetorit të alfabetit shqip Aleanca për Shqiptarët (LR PDSH-RDK) kanë organizuar manifestimin ku ishin të ftuar anëtarët e lëmisë së arsimit nga të dyja partitë. Në manifestim u tha se Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të popullit shqiptar, sepse në këtë Kongres u mblodhën përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit dhe për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës dhe të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e personaliteteve shqiptare për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.



Në fjalën e tij kryetari i RDK-së Vesel Memedi, tha se Kongresi i Manastirit kujon pikërisht bashkimin e shqiptarëve për çështje të rëndësishme kombëtare. “Kongresi i Manastirit ishte kulminacioni i organizimit kulturor, shpirtëror dhe politik. Kongresi i Manastirit edhe sot e kësaj dite na jep mesazh te fuqishëm si duhet vepruar. Një nga mesazhet e këtij forumi mbarëkombëtarë është përzgjedhja e alfabetit latin që nënkupton një përcaktim properëndimor të kombit shqiptar që edhe sot e kësaj dite është aspiratë e pakontestueshme. Mësim tjetër që na mundëson ky forum mbarëkombëtarë është mësimi i unifikimit që erdhi si rrjedhojë e mendimeve ndryshe në lidhje me njësimin e gjuhës. Në këtë mësim e kemi implementuar ne unifikim në krijimin e Aleancës për shqiptarët. Gjuha është kryefjala e zhvillimit të një kombi dhe këtu nuk ka kompromise”, tha Memedi.



Kryetari i LR-PDSH Ziadin Sela tha se Kongresi i Manastirit paraqet atë të unifikimit të gjuhës shqipe, dhe kuptohet që është pika që bashkon gjithë shqiptarët në Ballkan ose më saktë të Gadishullit Ilirik , ashtu siç na bashkon gjuha gjithë shqiptarëve në botë.

“Më 1908 ne u bëmë pjesë e botës moderne, pjesë e civilizimit aty edhe ku kishim qenë, atje pjesë e asaj bote e cila nuk na bëri të harrojmë 500 vitet robëri. Është mëse e saktë që përcaktimi për shkronjat latine, ishte përcaktimipër rrugën drejt europës dhe sot drejt Bashkimit Europian”, tha Sela.

Sipas tij, sot ne kemi shkronjat e unifikuara, kemi gjuhën e unifikuar dhe kemi edhe abetaren e unifikuar, por fatëkeqësisht pasioni i fundit i ekzistencës sllave dhe i diskriminimit që i bëhet shqiptarëve, në fatëkeqësinë më të madhe e them se ka ngel sllavo-Maqedonia.

“Është e nevojshme një Aleancë ndërmjet shqiptarëve e cila do të bëjë edhe unifikimin edhe të abetares, sepse fatëkeqësisht për momentin që jetojmë edhe konceptin e abetares mundohen ta heqin, duke i thënë abetares – libër leximi për fëmijët tanë. Është pikërisht moment në të cilën ne do të duhet të unifikojmë forcat tona, të flasim me njerëz, tua marim atë pak liri që ata e kanë dhe ta unifikojmë ta bëjmë një liri në tërësi dhe këtë liri tua kthejmë përsëri atyre”, tha Sela.

Tendencat për poshtërimin për luftën e pakuptimtë që u janë bërë ndër shekuj shqiptarëve.

Në manifestim Prof.Dr Vebi Bexheti ka mbajtur një ekspoze për kronologjinë e ngjarjeve të rëndësishme për shqiptarët. /albeu.com/


Shtuar më 22/11/2015, ora 09:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori