PD pas publikimit të rrogave: Është pjesë e skemës së patronazhimit, Rama të dorëhiqet

Partia Demokratike ka deklaruar pas rrjedhjes së databazës së të dhënave dhe pagës që mijëra punonjësve në Shqipëri, në sektorin publik dhe privat.

Deputeti Enkelejd Alibej ka deklaruar se ky është një skandal, pjesë e skemës së patronazhistëve, dhe ka kërkuar dorëheqjen e kryeministri Edi Rama.

“Të gjithë e dimë, se pak javë para zgjedhjeve, të dhënat personale të më shumë se 900 mijë qytetarëve, të cilat disponohen vetëm nga qeveria, u keqpërdorën nga kreu i qeverisë Edi Rama për të blerë mandatin e tij të tretë.

Për ne, nuk ka asnjë dyshim se lista e publikuar sot, që i përket pagave të marra të mbi 630 mijë qytetarëve në janar 2021, pak javë para zgjedhjeve, është pjesë e strategjisë së partisë-shtet për përdorimin e informacioneve sensitive për qëllime elektorale.

Sot paga dhe të dhënat sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve janë në Pazar për shkak të një shteti të rënë në duart e militantëve partiakë, që Edi Rama i përdor për pushtetin e tij personal.

Sot çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë duhet t’i kërkojë Edi Ramës të japë dorëheqjen.

Të dhënat e tyre personale, paga e tyre ka rënë në duart e keqbërësve dhe për këtë përgjegjës është vetëm Edi Rama me etjen e pangopur për pushtet.

Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për këtë skandal të përmasave të jashtëzakonshme! Si mbrojtësi dhe frymëzuesi kryesor i skemës së paligjshme të patronazhimit për blerjen e pushtetit, qeveria e tij ka ekspozuar ndaj kujtdo të dhënat e qytetarëve, përfshi pagën dhe vendin e tyre të punës.

Edi Rama sot duhet të japë Dorëheqjen! Drejtësia duhet të veprojë sa nuk është vonë! Një pushtet I vjedhur duke keqpërdorur  shtetin nuk duhet dhe nuk mund të mbahet dot gjatë në këmbë!”, tha Alibeaj./albeu.com


Shtuar 22.12.2021 13:33