Alternativa përshëndetet me Qeverinë, do të veprojë si opozitë

Partia Alternativa vendosi të largohet nga Qeveria. Vendimin e bëri publik vet kreu i kësaj partie Afrim Gashi në një konferencë shtypi menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Kuvendit të partisë të mbajtur në Tetovë.

Gashi, përkrahë të të cilit ishin edhe dy deputetët e tjerë të Alternativës, Safije Sadiki Shahini dhe Hysni Ismaili tha se sot e tutje Alternativa do të veprojë si opozitë.

Ai akuzoi LSDM-në për prishje të njëanshme të marrëveshjes së arritur në dhjetor të vitit 2021, madje edhe në periudhën sa ishte në Qeveri, pasi sipas tij shumë poste që i takonin Alternativës nuk u mbushën.

Gashi tha se LSDM nuk e mbajti premtimin edhe pse partia e tij u bë pjesë e Qeverisë kur shteti ishte në situatën më të rëndë.

Gashi madje tha se me shumicën e re rrezikohet rëndë e ardhmja evropiane dhe ndryshimet kushtetuese, por në rast se ka një nismë për të ndryshuar Kushtetutën, Alternativa do të mbështesë ndryshimet. /alsat.mk


Shtuar 12.02.2023 23:51