Berisha “i përvishet” Kim: Si ka mundësi që s’thoni asgjë kundër qeverisë, Basha është peng

Takimi me qytetarët e Vaut të Dejës ditën e votimit të primareve për kandidatët për kryetarë bashkie, ish-kryeministri Sali Berisha e shfrytëzoi për të akuzuar ambasadoren e SHBA Yuri Kim. Berisha deklaroi se Shqipëria u mbush me drogë ndërsa shqiptarët po ikin çdo ditë nga vendi, ndërsa Kim nuk thotë asnjë fjalë kundër qeverisë.

“Si ka mundësi që Shqipëria u mbush me drogë dhe nuk e thatë një fjalë kundër qeverisë. Kur drejtësia italiane solli dosjet e trafikantëve ministra i krahasuat këto dosje me dosje të thjeshta. Si ka mundësia që nga Shqipëria ikën investitorë të mëdhenj të huaj dhe nuk thoni një fjalë. Si ka mundësi që ikin qytetarët nga vendi dhe nuk thoni një fjalë kundër Edi Ramës. Si ka mundësi që vazhdoni të reklamoni reformën e dështuar në drejtësi.  Si ka mundësi që një njeri që kalon nga afera në aferë. Ne jemi miq të SHBA. Kjo që po bëjmë ne sot është praktikë strikte e amerikanëve. Do bëjmë gjithçka të afrohemi me atë vend.

SHBA na kanë ndihmuar në luftën kundër korrupsionit. Qeverisja e përparme ia doli të dyfishojë rroga dhe pensione duke luftuar korrupsioni. Kjo zonjë nuk thotë një fjalë për korrupsionin e qeverisë, por vetëm për ish zyrtarë. Shikoni ç’bëhet me FSHF. Kanë votime ata. Përdoret tritoli, përdoren tatimorët kundër një njeriu që nuk e mundin dot me votë. Ky është standardi. A thuhet një fjalë për blindimin e selisë së PD? A keni dëgjuar një fjalë? Asnjë. Këto janë parime të George Soros. Do të qëndrojmë në të drejtën tonë sepse pamë me sytë tanë si vota e lirë u përzu nga Shqipëria. Natën e 25 prillit zonja uroi kreun e KQZ për zgjedhjet më të këqija në historinë e Shqipërisë.

Do bëjmë çdo gjë për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri. Beteja është e ashpër por ne do bëjmë çdo gjë për rivendosjen e tij. Sot në disa rrethe po votojnë dhjetëra demokratë që nuk kanë marrë pjesë në referendum. I garantoj se mbetemi të hapur për një PD më të bashkuar dhe më të fuqishme se kurrë. Do mbetemi të vendosur për të mbrojtur interesat e tyre dhe interesin kombëtar”, tha Berisha.

Ai tha se Basha është marrë peng me dosjen “Nick Muzin” duke deklaruar edhe njëherë se në vend të selisë së PD janë projektuar të ndërtohen katër kulla të mëdha.

“Do ndërtohen 4 kulla të mëdha në vend të selisë së PD. Gjejeni ju tani se sa ka marrë për vete Lulzim Brava. Në këto kushte pluralizmi politik mori goditjen më të rëndë që nga themelimi i saj. Pluralizmin politik e ringjallën burra dhe gra, djem dhe vajza si ju. Lulzim Basha është marrë peng me dosjen Nick Muzin. I hetuar për pastrim parash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Tiranë, Dhe ai firmosi për të mos shkuar në burg të largojë Sali Berishën nga detyra. Le të pyesim pak këtë zonjë dhe paraardhësit e saj”, deklaroi ai./albeu.com/


Shtuar 30.01.2022 16:04