Shënoi 300 gola në karrierën si futbollist, si ish-sulmuesi i Fiorentinës iu kthye punës si murator

Ish-sulmuesi i Fiorentinës, Christian Rigano, dikur ishte një nga bomberët më të fortë të Serie A dhe B, por për të siguruar të ardhura tashmë që është ndarë me futbollin, i duhet të punojë si murator në Itali. Ish-sulmuesi, që luajti me Fiorentinën në sezonet 2002-2005 ka shënuar 300 gola në karrierën e tij në 520 ndeshje si futbollist.

Por mesa duket karriera e tij mjaft e mirë si futbollist nuk i ka krijuar të ardhura të mjaftueshme dhe një vend pune si trajner apo rol tjetër, por ka mbetur ende ai djaloshi punëtor nga Lipari. I intervistuar nga gazetarët italianë, Rigano tregon se edhe kur kishte hedhur hepat e parë si futbollist kishte punuar si murator për të mbajtur familjen.

Pasi gazetarët e takuan rastësisht në një kantier ndërtimi në Firence, ku po ngrinte një mur guri në Ponte Veçhio mes temperaturave ekstremisht të larta, ai ka treguar si ndryshoi jeta pasi mbylli karrierën. Ai është akoma një djalë trupmadh, por tani me rrobat e lyera me llaç dhe në duar mban një çekiç dhe daltë.

“Isha në Taranto. Giovanni Galli më telefonoi, duke më kërkuar të shkoja te Fiorentina, e cila kishte përfunduar në Serie C pas falimentimit të Ceçhi Gori. Në telefonatën e parë mendova se ishte një shaka. Po, jam unë Christian Rigano. Dy gjëra di të bëj në jetë, gola dhe mure.

Kështu, pasi ndalova së luajturi, iu riktheva punës së muratorit. Më pëlqen dhe jam krenar për këtë që bëj”, është shprehur ai duke buzëqeshur. Në një mur në Firence ende shkruhet: “Zoti fal, Riga-jo!“. Bomberi kujton këtë dhe buzëqesh me krenari. Sot ai jeton në Campo di Marte dhe është një personazh shumë i dashur në lagjen e tij.

“Dhoma e zhveshjes është gjëja që më mungon më shumë. Aty grindeshim dhe bënim shaka, është zemra e futbollit. Kam pasur nderin të luaj kundër Del Pieros, Batistutës, etj… Por unë jam i modës së vjetër. Më jepni një tokë dhe me dy kolegë mund të ndërtojmë një shtëpi”, thotë ai më tej.

Rigano është martuar dy herë dhe ka katër fëmijë. Ai flet edhe në lidhje me arsyen që e çoi të rikthehej si murator. “E pres edhe pyetjen tuaj të radhës (buzëqesh). Po, kam fituar mirë dhe jam i lumtur për këtë. Megjithatë, gjatë gjithë karrierës sime, kam arkëtuar aq shumë sa lojtarë të nivelit të mesëm sot i fitojnë në dy deri në tre muaj. Pra, atëherë duhet të kthehemi në punë”, përfundon ai.


Shtuar 26.07.2023 14:39