Kërkohej në gjithë botën, arrestohet shqiptari më i rrezikshëm në Ekuador

Shtetasi shqiptar, Nezdet Vokshi, ka rënë në prangat e policisë së Ekuadorit.

Ky është momenti kur me pranga në duar dhe maskë anti-Covid, shqiptari Nezdet Vokshi, i konsideruar nga autoritetet në Ekuador si shumë i rrezikshëm, shoqërohet për në ambientet e paraburgimit.

Ai është arrestuar pas një urdhri ndërkombëtar arresti për pjesëmarrje në organizatë që merrej me trafik droge në Holandë.

Mediat e huaja raportojnë se 55-vjeçari shqiptar u vu në pranga në periferi të Guajakilit, pranë një karburanti, teksa po udhëtonte me makinën e tij drejt banesës së tij.

Zyrtarisht në Ekuador ai ishte regjistruar si biznesmen, tregtar që merrej me eksportin e fruta-perimeve.

Vokshi është arrestuar edhe në vitin 2012 në Peru me kërkesë të autoritete e belge, por disa muaj më pas ai u arratis dhe fshihej në Ekuador.

Nezdet Vokshi, rezulton të ketë qenë pjesë e grupeve kriminale që operonin në Belgjikë dhe Holandë, i përfshirë në një rast të trafikut të 400 kilogramëve kokainë përmes portit belg, Antuerp.