Të pangopur, pronarët e urbanëve kërcënojnë qytetarët e Tiranës: “Më shumë para ose ecni në këmbë!”. Çfarë bën bashkia?

Krahas çmimit të bukës,ushqimeve të ndryshme, karburantit dhe por edhe rrezikut përballë rritjes së çmimit për energjinë elektrike, shqiptarët tashmë do të duhet të përballen edhe me shtrenjtimin e kostos së transportit.

Fiks në ditën e fillimit të vitit të ri akademik, ku Tirana përmbytet nga studentët, një pjesë e madhe e tyre përdorues të autobusëve urbanë, Shoqata e Transportit Qytetas njoftoi se kanë përgjysmuar flotën e autobusëve në rrugët e kryeqytetit me argumentin se kishin kosto të larta për shkak të shtrenjtimit të naftës.

Lënia e qytetarëve në rrugë duket se po përdoret prej tyre edhe si formë presioni ndaj institucioneve përgjegjëse, ndërsa nuk dihet se rrit kostin rritja e numrit të përdoruesve të shërbimit urban në Tiranë duke filluar nga dita e djeshme.

Në një prononcim për ABC, shoqata në fjalë u shpreh se kërkojnë indeksim të çmimit të karburantit duke kërcënuar se nëse nuk merren masa, atëherë në nëntor do të operojnë më 20% të kapacitetit.

Të vetmit që e pësojnë në këtë rast janë dhjetra mijëra qyetarë të Tiranës që duhet të përballen me një arrogancë të përditshme sa herë iu duhet të shkojnë në punë apo gjetkë.

Argumenti i pronarëve të urbanëve kësaj radhe është i njëjtë: Është rritur çmimi i naftës!

Çmimi i biletës së urbanit në Tiranë u shtrenjtua nga 30 lekë në 40 lekë në dhjetor të vitit 2015. Ky vit konsiderohet si një periudhë kur çmimi i naftës kapi rekorde.

Viti nisi me një çmim rreth 180 lekë për litër dhe u mbyll me mesatarisht 170-175 lekë litër. Pra, një çmim i ngjashëm me ditët e sotme. Por nëse me çmimin e naftës në 2015, shtrenjtimi i biletës nga 30 lekë në 40 lekë plotësonte nevojat e kompanive të transportit qytetas, duket se i njëjti çmim në 2021 nuk i plotësoin më.

Pavarësisht shtrenjtimit të biletës në 2015, urbanët në Tiranë nuk rritën shërbimin ndaj qytetarëve, ku qytetarët vijuan të futeshin si sardele në autobus; në shumicën e rasteve pa kondicionerëme orare pa orar, me shoferë të kapur tapë në timon nga policia, etj.

Duket se edhe kësaj radhe qytetarët e Tiranës janën nën kërcënimin e kompanive të transportit qytetas, të cilët në mungesë të autoritetit të institucioneve përgjegjëse gjejnë hallkën më të dobët për t’i zhvatur edhe më tepër para, klientin e tyre, qytetarin. /E.S-abcnews.al