“21 janari”, Ulsi Manja kallëzon në SPAK Berishën, Bashën dhe ish-komandantin e Gardës

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka depozituar në SPAK kallëzimin për ish-kryeministrin Sali Berisha, Lulzim Bashën dhe ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, për vrasje në rrethana të tjera cilësuese për ngjarjen e 21 janarit.

Kujtojmë se në një deklarata paraditen e sotme, Ulsi Manja i konsideroi vrasjet më 21 janar 2011 si krime shtetërore.

Manja u shpreh SPAK duhet të thërrasë të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje, pasi protestuesit sipas tij u qëlluan kur protesta ishte drejt përfundimit.

“I takon prokurorisë ta marrë këtë provë të re dhe të nisë hetimet një orë e më përpara për vrasje shtetërore. SPAK duhet të japë shpjegim se çfarë ndodhi në datë 21 Janar kur katër qytetarë të pafajshëm u qëlluan nga dritaret e kryeministrisë. Berisha ka deklaruar se protestuesit i vrau garda e republikës e cila sipas Berishës mbrojti kryeministrinë nga katër qytetarë me duar në xhepa.

Ka një fakt të ri që duhet të hetohet nga SPAK dhe përligj deklarimet e ish kryeministrit të kohës. Presim që SPAK të thërrasë të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje dhe nuk janë paraqitur asnjë ditë ranë organit të akuzës dhe të zbardhë përfundimisht të vërtetën. 21 Janari ishin vrasje të pastra shtetërore. U vranë katër qytetarë në kohën kur protesta ishte drejt përfundimit. Shqiptarët i kanë parë të gjitha pamjet”, u shpreh ai.


Shtuar 23.01.2023 18:10