Stadiumi i Kukësit ende nuk është gati

Kukësi do të presë Kastriotin në Rrogozhinë.

“Kukës Arena” nuk është ende gati, teksa edhe këtë javë verilindorët nuk do të luajnë dot në shtëpinë e tyre, por do të rikthehen në Rrogozhinë vetëm pak ditë pasi luajtën sfidën me Egnatian, ku edhe koleksionuan një fitore në shifrat 2-0.

Po kthehet në një “Odise” më vete rikthimi në Kukës, me inaugurimin që po shtyhet javë pas jave dhe sipas të gjitha gjasave, pa u larguar dimri, skuadra do të duhet të shtegtojë në fusha të tjera.

Burime të gazetës pohojnë se vetëm në pranverë skuadra do të rikthehet në shtëpi, kjo e varur edhe nga gjendja e fushës, e cila për shkak të ngricave dhe temperaturave të ulëta, nuk po shkon dot në parametrat e duhur.

Me pak fjalë, verilindorët do të luajnë në qytetin e tyre kur të jenë zgjidhur jo pak gjëra sa i përket kampionatit dhe stadiumi mund të mos konsiderohet më si armë plus për të arritur synimet. Dy ditë më parë stadiumi u inspektua edhe nga kreu i Komitetit Teknik në FSHF, Arben Dervishi, i cili konfirmoi se fusha nuk është ende gati.

ATMOSFERA – Fitorja e fundit në kampionat ka rikthyer qetësinë dhe atmosferën pozitive në skuadër, për më tepër që e mban ende Kukësin në garë për titullin kampion dhe aktualisht ka siguruar një vend në Europë. /panormasport/


Shtuar 11.02.2022 20:17