Pronat/ Basha letër kreut të Gjykatës së Strasburgut (FOTO LAJM)

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me 7 qershor mësohet se i ka dërguar një letër Presidentit të Gjykatës Europiane të të DrejtaveNjeriut, Guido Raimondi, duke ngritur shqetësimin mbi deklaratat e bëra nga kryeministri Rama në Parlament. Sipas tij ai ka arritur një marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut për të mos shqyrtuar më çështje të pronave të qytetarëve shqiptarë kundër qeverisë shqiptare.

Përmes kësaj letre Basha i bën të ditur Raimondit se këto qëndrime të Ramës janë mbajtur në Parlament, pas takimit që kanë patur me të me 9 maj në Strasburg, dy prej ministrave të qeverisë shqiptare.

Kreu i opozitës shprehet se kjo deklaratë e kryeministrit përbën një ndërhyrje të hapur përpara vendimit të Gjykatës tonë Kushtetutese në lidhje me ligjin e ri të pronave. Kryedemokrati ngre shqetësimin se ky qëndrim i kreut të qeverisë bëhet për ti ushtruar presion Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht për të dëmtuar kredibilitetin e Gjykatës Europiane të të DrejtaveNjeriut në opinionin publik shqiptar.

Në letër Basha nënvizon se në Konventën Europiane të të DrejtaveNjeriut dhe rregullat e Gjykatës, nuk parashikohet asnjë rast që njëra prej palëve të arrijë marrëveshje të mundshme me Gjykatën në favor të saj, përpara shqyrtimit të çështjes.

Basha e siguron Raimondin se nuk kërkon ta bëjë Gjykatën e Strasburgut pjesë të debatit të brendshëm politik, dhe shpreh besimin e palëkundur në paanshmërinë e Gjykatës së të DrejtaveNjeriut dhe në shqyrtimin e pavarur e profesional të çështjeve prej saj. /albeu.com/
Shtuar më 19/06/2016, ora 09:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori