Prokuroria zbulon teknikat e shpërndarësve të drogës në Tiranë, fokusi lokalet e natës pranë një gjimnazi

Prokuroria e Tiranës ka reaguar në lidhje me operacionin anti-drogë që është zhvilluar në kryeqytet.

Si pasojë e operacionit u arrestuan 20 persona, mdërtsa në kërkim janë shpallur katër të tjerë.

Ata akuzohen se shpërndanin kokainë dhe hashash pranë shkollave dhe në lokalet e natës në kryeqytet.

Disa prej të arrestuarve janë: Fabian Qoku,Redi Lolaj, Eduard Hysa, Dorjano Çela, Enver Mehmeti, Fatbardh Bardhi, Martin Kuka, Marsel Gjona, Mariglen Hoxha, Muharrem Tarushi, Polikron Shabani, Erion Xhaxho, Altin Llani dhe Jurgen Hasamataj.

Në një njoftim zyrtar Prokuroria bën me dije se shpërndarësit e drogës vepronin në grupe dhe se shpërndarja kryhej në lokalet e natës pranë një gjimnazi.

Gjatë operacionit u sekuestruan 2 kilogramë e 120 gramë kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, shuma parash rreth 5 mln lekë të vjetra, 1700 euro, 11 automjete si dhe 29 aparate celulare.

Drejtori Tonin Vocaj në një konferencë për shtyp së bashku me Zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar, Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë dhe shefin e Sektorit të Krimit të Organizuar, bëri me dije se u goditën dy grupe që shpërndanin lëndë narkotike kanabis, heroinë e kokainë në zona të ndryshme të Tiranës, në lokale nate si dhe afër shkollave.

Hetimi zgjati tre muaj dhe policia arriti të siguronte prova ligjore për dokumentinin e veprimtarisë kriminale të dy grupeve që përbëheshin nga 24 persona

NJOFTIMI I PLOTË:

Prokuroria e Tiranës zbulon me metoda speciale të hetimit dy grupet kriminale që shisnin drogë pranë shkollave
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar dy procedime penale, nr. 420 viti 2023 dhe nr. 7470 viti 2022 për veprën penale 283 “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Në përfundim të hetimeve disa mujore me metoda speciale hetimi, u arrit të vërtetohej veprimtaria kriminale e dy grupeve që përbëheshin nga 24 persona për të cilët u kërkua masa e sigurisë ‘Arrest në burg’.

Nga hetimet e nisura në muajin Janar të këtij viti, rezulton se të gjithë të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin vepronin të ndarë në disa grupe dhe shpërndanin lëndë narkotike në zonën e Tiranës dhe të Kamzës, kryesisht tek të rinjtë.

Shpërndarja kryhej në lokalet e natës, në ambientet më të frekuentuara nga të rinjtë dhe pranë një gjimnazi në Tiranë.

Në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë janë rritur procedimet penale me metoda proaktive duke bërë të mundur dokumentimin e një sërë procedimeve penale.

Hetimet proaktive dhe përdorimi i metodave speciale të hetimit me qëllim parandalimin dhe goditjen e formave të organizuara të veprimtarisë kriminale dhe fenomeneve shqetësuese si shpërndarja e lëndëve narkotike në mjediset e të rinjve dhe institucioneve edukuese, mbeten në fokusin e Prokurorisë Tiranë./albeu.com/