Pse ka ardhur koha të ndryshojë strategjia e Perëndimit ndaj Ukrainës

Nga Richard Haas & Charles Kupchan “La Repubblica

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pas pak më shumë se 1 viti nga fillimi, Lufta në Ukrainë duket se ka shkuar shumë më mirë nga sa parashikohej për ukrainasit. Përpjekja e Rusisë për ta pushtuar dhe mposhtur ka dështuar. Ukraina mbetet një demokraci e pavarur dhe funksionale, duke ruajtur rreth 85 për qind të territorit që kontrollonte përpara pushtimit rus të vitit 2014.

Rezultati më i mundshëm i këtij konflikti do të jetë një ngërç i përgjakshëm. Por kushtet për arritjen e një marrëveshje të negociuar nuk janë ende aty. Prandaj Perëndimi duhet të gjejë një qasje të re, që i njeh këto realitete, por pa i sakrifikuar parimet e tij.

Dhe mënyra më e mirë për këtë, është miratimi i një strategjie të njëpasnjëshme me 2 drejtime, që synon fillimisht rritjen e aftësive ushtarake të Ukrainës dhe më pas, brenda pak muajsh, zhvendosjen e Moskës dhe Kievit nga fusha e betejës në tryezën e negociatave. Perëndimi duhet të nisë menjëherë zbatimin e fazës së parë të strategjisë duke përshpejtuar dërgesat e armëve në Ukrainë. Në fund të kundërofensivës së re të ushtrisë ukrainase që pritet të nisë së shpejti, Kievi mund të gjendet në një pozicion më të mirë për të synuar një zgjidhje të negociuar të konfliktit.

Pika e dytë e strategjisë perëndimore duhet të konsistojë në zhvillimin, sërish brenda pak muajsh, të një plani për të arritur një armëpushim, dhe më pas një procesi paqeje, me synim dhënien e fund njëherë e mirë të këtij konflikti. Por kjo strategji diplomatike mund të dështojë lehtësisht.

Aktualisht, është e paarritshme një zgjidhje diplomatike e konfliktit. Ndoshta presidenti rus Vladimir Putin ka frikë se nëse ndalon së luftuari tani, rusët do ta akuzojnë atë për një luftë të kushtueshme dhe të panevojshme. NATO është më e madhe dhe më e fortë se më parë, dhe Ukraina është më armiqësore ndaj Rusisë më shumë se kurrë më parë.

Putin duket se llogarit se mund t’i mbijetojë sanksioneve ekonomike, të cilat kanë dështuar ta gjunjëzojnë ekonominë ruse, dhe se mund të ruajë mbështetjen e shumicës së rusëve për luftën. Kjo e fundit konfirmohet nga sondazhet e Qendrës Levada, me 70 për qind të rusëve që shprehen në favor të saj.

Edhe Ukraina nuk duket për momentin e prirur të negociojë, dhe ka arsye të forta për të dyshuar nëse Putini do të respektonte një marrëveshje paqeje. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë ofruar të dhëna inteligjente, trajnim dhe pajisje, por jo sisteme ushtarake në shkallë të gjerë, nga frika se mos kjo do të provokonte një përshkallëzim të veprimeve nga ana e Rusisë.

Por zgjerimi i konfliktit nuk do të ishte në interesin e Moskës. As përdorimi i armëve bërthamore nuk do t’i jepte ndonjë avantazh. Sepse do ta fuste zyrtarisht në luftë NATO-n, dhe njëkohësisht mund ta distancojë atë nga Kina dhe India.

Prandaj është koha që Perëndimi të fillojë t’i dërgojë Ukrainës tanke, raketa me rreze të gjatë dhe armë të tjera që i nevojiten për të rimarrë kontrollin e shumë pjesëve të territorit të tij gjatë muajve të ardhshëm. Raketat me rreze të gjatë – sistemi ATACMS, të cilin SHBA ka ngurrur deri më sot ta dërgojë – do t’i japin mundësi Ukrainës të godasë pozicionet në territorin e pushtuar nga Rusia.

Po ashtu pritet që ushtria amerikane të nisë trajnimin e pilotëve ukrainas me avionët e saj F-16. Ka të ngjarë që kundërofensiva e ardhshme, t’i japë mundësi Kievit të çlirojë të gjitha territoret e pushtuara, duke çuar në humbjen e plotë të Rusisë.

Për më tepër, nëse pozicioni ushtarak i Moskës bëhet shumë i pasigurt, ka gjasa që Kina ta furnizojë me armë Rusisë, drejtpërdrejt ose përmes vendeve të treta. Presidenti kinez Xi Jinping synon një aleancë afatgjatë me Putinin, vendi i tij po shkëputet nga Perëndimi, dhe politika e SHBA ndaj Kinës duket se do të ashpërsohet pavarësisht se çfarë do të zgjedhë të bëjë Kina në raport me luftën në Ukrainë.

Me shumë mundësi në muajt e ardhshëm mund të kemi një ngërç përgjatë një linje të re kontakti. Ndërkohë për vetë Ukrainën nuk do të ishte një lëvizje e mençur të vazhdonte luftën me kokëfortësi, duke synuar fitoren e plotë ushtarake.

Sepse në fund të këtij sezoni luftimesh, SHBA-ja dhe Evropa do të kenë arsye të forta për të synuar ndërprerjen e mbështetjes së Ukrainës “për aq kohë sa do të duhet” siç e tha presidenti Joe Biden. Ruajtja e Ukrainës si një shtet i pavarur është sigurisht një prioritet. Por nuk është e domosdoshme që vendi të rimarrë kontrollin e plotë të Krimesë dhe Donbasit brenda një periudhe afatshkurtër.

Vendet e NATO-s nuk mund të përjashtojnë mundësinë e një përballjeje të drejtpërdrejtë me Rusinë, dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë gati për veprime të mundshme ushtarake në Azi (si një pengesë apo si një përgjigje ndaj çdo lëvizje të Kinës kundër Tajvanit) por edhe në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër lufta po i imponon kosto të larta ekonominë botërore. OECD vlerëson se këtë vit, ajo do të sjellë një reduktim të prodhimit ekonomik global prej 2.800 miliardë dollarësh. Uashingtoni po përballet me presion në rritje për të ulur shpenzimet.

Tani që republikanët kanë marrë kontrollin e Kongresit, për administratën Biden do të jetë më e vështirë të sigurojë paketa të konsiderueshme ndihme për Ukrainën. Dhe nëse republikanët fitojnë garën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, qëndrimet ndaj Ukrainës mund të ndryshojnë drastikisht.

Për të gjitha këtu arsye është koha të dilet me një plan B. Uashingtoni duhet të nisë konsultimet me aleatët e tij evropianë dhe me Kievin, për të nisur negociatat diplomatike brenda disa muajsh. Ukraina dhe Rusia duhet të tërheqin trupat dhe armët e rënda nga linja e re e kontaktit, duke krijuar një zonë të çmilitarizuar.

Një organizatë neutrale – OKB ose OECD – duhet të dërgojë vëzhgues për të zbatuar armëpushimin. Dhe nëse Kina do refuzojë ta miratojë atë, do të demaskohej falsiteti i thirrjeve të përsëritura të Xi për një zgjidhej diplomatike të konfliktit.

Negociatat e paqes duhet të ndjekin dy shina paralele. E para ka të bëjë me bisedimet e drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë. E dyta, me dialogun strategjik midis aleatëve të NATO-s dhe Rusisë mbi kontrollin e armëve dhe arkitekturën më të gjerë evropiane të sigurisë.

Dhe nëse Rusia do ta refuzojë armëpushimin (ose do ta pranojë, por më pas do ta shkelë), kjo sjellje do ta thellonte izolimin e saj diplomatik, dhe do të forconte mbështetjen popullore për Ukrainën në SHBA dhe Evropë. Një tjetër rezultat i mundshëm, është që Rusia ta pranojë armëpushimin për të garantuar zyrtarisht përfitimet territoriale, por nuk ka ndërmend të negociojë një marrëveshje për një paqe të qëndrueshme.

Ukraina do të hynte në negociata duke përcaktuar prioritetet e saj:rivendosjen e kufijve të vitit 1991, dëmshpërblime financiare dhe përgjegjësi për krimet e luftës. Por duke qenë se Putin do t’i refuzonte këto kërkesa, do të pasonte një ngërç i zgjatur, që në fakt do të prodhonte një konflikt të ri të ngrirë.

Kievi duhet ta pranojë se rivendosja e integritetit të plotë territorial, kushtëzohet nga përparimi në tryezën e negociatave, që niga ana e tij do të jetë i mundur vetëm kur Putin të mos jetë më në pushtet. Ndërkohë, qeveritë perëndimore mund të premtojnë heqjen e plotë të sanksioneve kundër Rusisë dhe normalizimin e marrëdhënieve, vetëm nëse Moska nënshkruan një marrëveshje paqeje të pranueshme për Kievin.

Nëse Putini do të refuzojë mundësinë për t’i dhënë fund luftës, qeveritë perëndimore do të fitonin edhe një herë mbështetjen popullore të nevojshme për të ofruar mbështetje të mëtejshme për Ukrainën. Si një nxitje shtesë për Ukrainën, Perëndimi duhet t’i ofrojë asaj një marrëveshje sigurie zyrtare. Krahas kësaj, Bashkimi Evropian duhet të hartojë një marrëveshje afatgjatë të mbështetjes ekonomike, dhe të propozojë një afat kohor konkret për anëtarësimin e Ukrainës në union.

Marrë me shkurtime


Shtuar 20.04.2023 12:11