Përveç paketimit, asgjë shqiptare te "Migjeni": Detajet që nxjerrin zbuluar propagandën e Ramës (FOTO LAJM)

Përveç bojës dhe ndonjë gote kartoni me logon e stampuar si edhe dy tre stjuardesave, asgjë tjetër nuk ka shqiptare tek avioni i ri i Air Albania, i cili sot ka bërë për herë të parë linjën Tiranë-Romë dhe anasjelltas.

Mësohet se avioni është nisur pak pas orës 05:00 të mëngjesit nga Tiranë duke mbërritur në Romë, ndërsa është kthyer prej andej duke u ulur në orën 09:45 minuta të ditës së sotme në Rinas.

Rama e ka prezantuar avionin Boeing 737-800 si krenarinë e shqiptarëve dhe Shqipërisë duke nxjerrë në pah ngjyrat kuqezi të stampuara pak ditë më parë në Stamboll, por nga verifikimet e kryera nga Albeu.com, rezulton se asgjë tjetër nuk është shqiptare në këtë fluturake.

Avioni ka hequr "rrobat" turke dhe ka veshur ato "shqiptare", por "emrin" e ka njëlloj, po turk. Kështu, siç konfirmon albeu.com, avioni vazhdon të fluturojë me numrin e identifikimit që ka patur tek Turkish Airlines TC-JZG, i cili është numri unik që kanë avionët tek secila kompani që i dallon nga njëri-tjetri. Për të qenë në rregull, avioni në fjalë duhej të fluturonte me kodin e "Air Albania", pra duhej të merrte "emër" tjetër.

Ndërkohë, fluturimi i sotëm Tiranë-Romë është bërë me kodin e Air Albania "ZB2002"

Boeing 737-800 që fluturon gjoja për "Air Albania" e ka të stampuar ende kodin unik të identifikimit duke u raportuar si avion i "Turkish Airlines".

Po ashtu, konfirmohet se gjithçka në fletëpalosje është në gjuhën turke dhe angleze dhe gjëkundi nuk gjendet gjuha shqipe përveç një logoje të "Air Albania-s" tek gotat e njëpërdorimshe të ujit.

"Migjeni" transporton rreth 180 pasagjerë me "economy class" dhe rreth 160 pasagjerë nëse do të shiten edhe bileta për "business class".

Shpesh "Boeing 737-800" seria të cilës i përket "Migjeni" ngatërrohet me avionin problematik Boeing 737 8Max përgjegjës për vrasjen më tepër se 350 personave, por nuk është e njëjta seri. /albeu.com/
Shtuar më 30/09/2019, ora 17:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori