Sekuestrimi i aseteve financiare të Moskës është një domosdoshmëri, dhe jo vetëm një opsion

Nga Albert Torres “The Hill

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Rindërtimi i Ukrainës pas pushtimit të paprovokuar të presidentit rus Vladimir Putin dhe një viti sulmesh të pandërprera ushtarake, do të kërkojë shumë më tepër burime sesa mund të sigurohen vetëm nga sekuestrimi i aseteve të oligarkëve rusë. Prandaj është koha të bllokohet dhe sekuestrohet e gjithë rezerva në valutë të huaj që ka Rusia nëpër botë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e kanë izoluar tashmë Kremlinin nëpërmjet një pakete të fortë sanksionesh, duke e përjashtuar atë nga tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, vetëm sanksionet nuk janë të mjaftueshme. Kongresi miratoi së fundmi ligjin që e bën SHBA-në të aftë të sekuestrojë asetet e ngrira financiare që u përkasin oligarkëve rusë.

Por as kjo nuk do të jetë mjaftojë. Rindërtimi i Ukrainës ka të ngjarë të kushtojë më shumë se  600 miliardë dollarë. Ky është vlerësimi që bënë në dhjetor Banka Botërore dhe qeveria e Ukrainës.

Por dëmet po vazhdojnë të shtohen pasi Rusia po vazhdon që të bombardojë infrastrukturën me jetike të këtij vendit. Prandaj Shtetet e Bashkuara duhet të koordinohen me aleatët e tyre për sekuestrimin e 300 miliardë dollarëve shtesë në rezervat e valutës së huaj që ka Rusia, një shumë 10 herë më e madhe se sa vlera e aseteve të huaja që zotërojnë oligarkët rusë.

Asetet e konfiskuara ruse do të mbulojnë më shumë se gjysmën e dëmit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, duke e reduktuar presionin ekonomik mbi komunitetin ndërkombëtar për t’i ofruar Ukrainës ndihmën financiare shumë të nevojshme në mbështetje ushtarake, rimëkëmbjen ekonomike afatshkurtër por edhe procesin afatgjata të rindërtimit.

Këto rezerva valutore i përkasin Federatës Ruse, prandaj sekuestrimi tyre do të mbante Kremlinin përgjegjës për luftën aktuale. Mos kini asnjë iluzion: kostoja e luftës është e lartë dhe po rritet me shpejtësi. Ndërsa ukrainasit po japin jetën e tyre në luftën për sovranitetin e vendit, Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar janë zotuar të ofrojnë ndihmën e nevojshme financiare, duke premtuar 110 miliardë dollarë për ndihmë të menjëhershme ushtarake, buxhetore dhe humanitare.

Kongresi ka autorizuar konfiskimin e fondeve të oligarkëve, të cilat përbëjnë mbi 30 miliardë dollarë nga kjo shumë. Ky është një hap në drejtimin e duhur. Por do të kërkojë kohën e vet, ndaj ne duhet të shkojmë më tej më masat ndëshkimore.

Uashingtoni duhet të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën duke e mbajtur Kremlinin përgjegjës për pushtimin e tij. Shtetet perëndimore kanë ngrirë tashmë mbi 300 miliardë dollarë të rezervave valutore të Rusisë. Por komuniteti ndërkombëtar duhet të konfiskojë në mënyrë ndëshkuese asetet e ngrira të qeverisë ruse për të financuar objektivat e Ukrainës nëpërmjet veprimeve të koordinuara nga vendet e Grupit të të Shtatëve (G-7), të cilat mbajnë pjesën më të madhe të aseteve të ngrira.

Për shkak se Moska e ka shkelur ligjin ndërkombëtar, duke kryer akte të punumurta gjenocidi dhe krime kundër njerëzimit, sekuestrimi i aseteve të Kremlinit është një çështje drejtësie dhe llogaridhënieje. Po ashtu, kjo masë do të vendoste barrën financiare të luftës pikërisht aty ku i takon, mbi shpinën e Moskës.

Fuqia financiare e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj në G-7, është arma më e mirë asimetrike që kemi kundër Putinit. Sekuestrimi i rezervave valutore të Kremlinit do të ushtronte një presion të madh ekonomik mbi financat ruse tashmë të tendosura nga sanksionet, duke penguar aftësitë ushtarake të Rusisë, duke e privuar atë nga rezervat e reja dhe duke e kufizuar aftësinë e saj për të financuar vazhdimin e luftës.

Presioni financiar i G-7 do ta përkeqësonte më tej pozitën dhe qëndrueshmërinë ekonomike të Kremlinit, ndërsa do të ofronte një mbështetje shumë të rëndësishme për Ukrainën, pikërisht në kohën kur Putini mund të jetë duke u përgatitur për të nisur një ofensivë të re.

Shtetet e Bashkuara kanë tashmë autoritetin për të shpronësuar rezervat e Bankës Qendrore të Rusisë sipas Aktit Ndërkombëtar të Kompetencave Ekonomike Emergjente (IEEPA), Aktit të Sigurimit kundër Rrezikut nga Terrorizmit (TRIA), si dhe Aktit të Tregtisë me Armikun (TwEA).

IEEPA dhe TwEA i japin qeverisë amerikane aftësinë për të ngrirë dhe konfiskuar asetet ruse, ndërsa TRIA i jep presidentit mundësinë ta etiketojë zyrtarisht Rusinë si një shtet sponsor shtetëror të terrorizmit, dhe fuqinë për të marrë fondet e ngrira sipas TwEA ose IEEPA.

Pushtimi i Putinit në Ukrainë, përbën një justifikim të mjaftueshëm që SHBA-ja të veprojë sipas të tria ligjeve. Ndërkohë precedentët e detyrojnë Rusinë që ta kompensojë Ukrainën për të gjitha dëmet e luftës. Pas pushtimit të Kuvajtit nga Iraku në vitin 1990, Komiteti i Kompensimit i Kombeve të Bashkuara, një degë e Këshillit të Sigurimit, u krijua enkas për të mbikëqyrur pagesat e dëmshpërblimeve nga Bagdadi, në total 52.4 miliardë dollarë.

Po ashtu asetet financiare irakiane u përdorën për rindërtim sipas ligjit IEEPA në vitin 2003.

Nuk do të ishte hera e parë që do të përdoreshin këto ligje për t’u hakmarrë ndaj aktivitetit brutal të rusisë. IEEPA është përdorur tashmë 2 herë kundër Rusisë në dekadën e kaluar: gjatë aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, dhe në vitin 2021 për shkak të “aktiviteteve të huaja të dëmshme” kundër Shteteve të Bashkuara.

Pushtimi i Ukrainës është një nga sulmet më skandaloze ndaj lirisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Konflikt pas konflikti, duke filluar që me Luftën e Dytë Çeçene, Putini ka treguar aftësinë e tij për të imponuar shtypje dhe tirani. Ai i ka mbyllur gojën opozitës në vend, ka pushtuar territorin e vendeve fqinje, ka vrarë kundërshtarët politikë, dhe ka ndihmuar regjimet vrasëse.

Që të gjitha këto janë pasuar nga një reagim i pamjaftueshëm nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Prandaj sekuestrimi i aseteve të ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë do të përbënte një zbatim të ligjeve ndërkombëtare kundër krimeve të agresionit dhe shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut. Despotizmi i Putinit ka mbetur i pandëshkuar për një kohë të gjatë. Ka ardhur koha që që kjo gjë të ndryshojë. /albeu.com

Shënim:Albert Torres, bashkëpunëtor në Institutin Xhorxh W.Bush, SHBA.


Shtuar 16.01.2023 13:18

Tags: