PD: Shpenzimet e dasmës së Veliajt, provokim për shoqërinë‏ (FOTO LAJM)

Pëlqej
Duke i uruar jetë të lumtur ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliajt për martesën, Partia Demokratike e cilësoi këtë event një akt mendjemadhësie. Nga selia blu, koordinatorja për mediat, Silvi Bardhi bëri të ditur se qindra mijëra euro të shpenzuara nga Veliaj, tregoi indiferencën e ministrit për qytetarët shqiptarë.


"“Partia Demokratike e ka familjen në themelin e vlerave ku ngrihet si forcë politike, dhe si për çdo qytetar tjetër të vendit që martohet, ne i urojmë sot Erion Veliajt të trashëgohet. Krijimi i familjes i bën të rinjtë më të përgjegjshëm, dhe kur ata kanë edhe detyra të larta për të ushtruar, pjekuria dhe maturia janë të mirëpritura. Për fat të keq, Ministri i Mirëqenies Sociale, që prej kohësh, po cilësohet nga gjithkush, si ministri i Mirëqenies Personale, me dasmën e tij, ka dështuar të japë mesazhet e përgjegjshmërisë, maturisë dhe pjekurisë", thuhet në reagimin e selisë blu.

"Shpenzimet faraonike, paraja lumë rrugëve të Gjirokastrës, përfshirja e strukturave qeveritare dhe e bashkisë atje në organizimin e aktivitetit është një abuzim me pushtetin, është një provokim që i bëhet shoqërisë në ditët më të këqija të ekonomisë dhe gjendjes sociale. Erion Veliaj mund të ketë ftuar një mijë vetë, e mund të ketë shpenzuar qindra mijë euro për shandanë, kokteile, e luks sallonesh, por janë mijëra qytetarë që mezi mbyllin muajin, janë mijëra që kanë humbur vendet e punës, janë mijëra që marrin gjithnjë me vonese ndihmën sociale, janë mijëra të tjerë që tjetër gjë prisnin nga ky ministër, nga kjo qeveri", citohet në deklaratën e PD-së.

Sipas Partisë Demokratike, krekosja e Ministrit të Mirëqenies dhe shampanja e derdhur në muret e kalasë aspak nuk ndihmojnë asnjë nevojtar.

"Ne nuk do të merreshim me dasmën e një ministri, por ishte zgjedhja e tij për ta kthyer këtë event privat, në një akt të pashembullt publik arrogance e mendjemadhësie e shpenzimit të pafre, në ditën kur të gjithë parametrat e ekonomisë së vendit janë përkeqësuar. Teprimit financiar i bashkohet dhe keqpërdorimi i simboleve historike. As bedenat heroike, as Argjiroja nuk i japin dot fisnikëri një dasme të kamur qeveritare. Jo kështjella e Gjirokastrës e historia e saj që nuk ndihet mirë nga ky fodullëk, por edhe Sokaku i të Marrëve, do të kishte pështirë nga kjo çmenduri pasanikësh pushtetarë që jetojnë në realitetin e tyre të dhjamur, pa asnjë ndjeshmëri për hallet, shqetësimet e kërkesat e qytetarëve", përfundon deklarata e PD-së. /albeu.com/
Shtuar më 07/09/2014, ora 12:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori