PD: Ja si ndahen vendet e punës në burgje, si plaçkë lufte (FOTO LAJM)

Partia Demokratike eshte sot vuri ne dukje punësimet e militantëve në administratë. Arben Ristani ka bërë publike sot korrespondencën e zëvëndës. Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bledar Skënderi, ku pretendon se zyrtari i lartë i shpreh shqetësimin Kryeministrit se aleati LSI nuk po respekton marrëveshjen për ndarjen e pushtetit.

"Çdo ditë e më tepër, çdo shqiptar po bindet se Edi Rama është në krye të një shteti të korruptuar, kriminal, nepotik e partiak.

Justifikimet e tij për papunësinë në rritje, dhe për pakënaqësinë në rritje ndaj tij edhe brenda Partisë Socialiste, se ai po bën shtet dhe jo punësime në shtet, janë qesharake dhe nuk ia beson më askush. Kemi sot këtu, një letër konfidenciale që zëvendësdrejtori i përgjithshëm i burgjeve, Bledar Skenderi, ia drejton Edi Ramës, ku tregohet se si, në të vërtetë, kryen punësimet në shtetin e Edi Ramës.

Ky zyrtar i lartë e informon Edi Ramën se nga tetori i vitit 2013 e deri në gushtin e 2014, nga 762 emërime, vetëm 300 i ka bërë Partia Socialiste, ndërsa 462 i ka bërë LSI. Zyrtari i Lartë ankohet se LSI nuk po respekton marrëveshjen për ndarjen e pushtetit.

Ky zyrtar ankohet se disa drejtorë burgjesh, punësojnë njerëz sipas dëshirave të tyre dhe nuk marrin në konsideratë listën zyrtare me emra që i ka çuar Partia Socialiste.

“Në përgjithësi të gjitha emërimet në stafet drejtuese të policisë së burgjeve (shefa policie dhe oficerë) janë marë nga jashtë sistemit, njerëz jo me formimin e duhur profesional dhe kjo po cënon rëndë sigurinë në këto institucione”, kështu shprehet zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

Ai i sugjeron Ramës që Partia Socialiste duhet të marrë nën drejtim burgun e Fierit, pasi aty ka 700 vende pune. Ja pra kush është shteti i Edi Ramës. Një shtet që trajtohet si plaçkë që ndahet mes aleatëve si tortë e pushtetit.

Një shtet i korruptuar, ku punësimet bëhen ose me firmë të partisë, ose me lek nën dorë. Një shtet kriminal që në këtë rast, ka vënë në rrezik edhe sigurinë në burgje për shkak të babëzisë për të trafikuar vendet e punës, sipas interesit financiar dhe partiak.

Pikërisht këtë shtet jemi ngritur ta shporrim, bashkë me shqiptarët. Partia Demokratike ju ben thirrje, të enjten në orën 10:00, të rimblidhemi në dyert e Parlamentit", ka thene ai. /albeu.com/


Shtuar më 15/12/2015, ora 12:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori