Ndryshime tektonike në Mal të Zi, të gjitha nën drejtimin e dy burrave

Në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Mal të Zi, rezultatin më të mirë individual e ka arritur Lëvizja “Evropa Tani” (PES) e udhëhequr nga Milojko Spajiq. Me këtë, PES shënoi fitoren e tretë zgjedhore ndaj Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), e gjitha kjo falë Spajiqit dhe Jakov Milatoviqit.

Rezultatet e Qendrës për Tranzicionin Demokratik (CDT) tregojnë se Lëvizja Evropiane ka fituar tashmë 26 për qind të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) është në vendin e dytë me 23 për qind.

Fitoren e zgjedhjeve e shpalli lideri i PES, Milojko Spajiq, duke theksuar se nuk do t’i bashkohet koalicionit me DPS-në.

“Kjo është një fitore e madhe për Evropën tani. Nga statusi i partisë joparlamentare, në një vit u bëmë partia më e madhe në Mal të Zi, me gjithë presionet. Kemi arritur një rezultat të mirë dhe presim që qeveria të formohet sa më shpejt. Ne do të flasim me të gjithë ata që ndajnë vlerat tona”, tha Spajiç.

Në anën tjetër, Danijel Zhivkoviq, i cili tani udhëheq DPS-në, pretendon se lista e tij ka më shumë mandate se PES.

“Në bazë të numërimit të të gjitha votave, DPS ka 18 mandate, e dyta është PES me 17 mandate, çka vërteton faktin se DPS është më e fortë se çeliku. Prandaj, ky koalicion e konfirmoi rëndësinë e tij politike me forcën e tij, pa koalicionin “Zajedno” nuk ka qeveri stabile, reformiste, evropiane”, tha Zhivkoviq.

Pavarësisht nga projeksionet e partive individuale, të gjitha të dhënat zyrtare tregojnë se PES është fitues i këtyre zgjedhjeve, që do të thotë se kjo është fitorja e tretë e përgjithshme e Lëvizjes Evropiane ndaj DPS-së.

Sondazhet para votimeve ishin të përafërta me rezultatet preliminare.

Sipas CEMI-t, një koalicion tjetër pro-BE-së që përfshin Partinë Demokratike dhe Lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, doli në vendin e katërt me 12.3% të votave (11 mandate).

Millojko Spajiq, lider i listës së Lëvizjes Evropa Tani (PES), në fjalimin e tij të parë paszgjedhor deklaroi se ishte një fitore e madhe për partinë e tij, e cila nga një parti joparlamentare, u shndërrua në partinë më të madhe në Mal të Zi, për më pak se një vit. Ai theksoi se në të ardhmen nuk do të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Lëvizjen Qytetare Ura të Dritan Abazoviq.

“Ne presim që qeveria të formohet sa më shpejt, do të flasim me të gjithë ata që ndajnë vlera si tonat. Ne do të formojmë një qeveri të re pro-evropiane”, tha Spajiq.

Për 81 ulëset e Parlamentit të Malit të Zi garuan 15 parti dhe koalicione. Të drejtë vote kishin 542.468 qytetarë.

Sipas të dhënave të para, në këto zgjedhje votuan rreth 56 për qind e votueseve me të drejtë vote. Sipas Qendrës për Tranzicion Demokratik në Mal të Zi, shifra paraqet rënie të numrit të votuesve për 20 për qind, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020.

Pse ishin të rëndësishme këto zgjedhje?

Këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare mund t’i japin fund një krize politike gati trivjeçare në Mal të Zi, ku dy qeveri u rrëzuan përmes mocioneve të mosbesimit.

Rezultati i zgjedhjeve mund të prodhojë një qeveri funksionale, të cilën Mali i Zi nuk e ka thuajse që nga prilli i vitit 2020, kur Partia Demokratike e Socialistëve, asokohe e udhëhequr nga Millo Gjukanoviq, humbi në zgjedhje.

Media të ndryshme ndërkombëtare dhe analistët politikë, ditëve të fundit, thanë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare edhe për të ardhmen e Malit të Zi, pasi votuesit do të kenë mundësi të vendosin për të përkrahur partitë dhe koalicionet – disa përkrahëse të Perëndimit, të tjerat përkrahëse të Serbisë, apo Rusisë.

Këto janë zgjedhjet e para parlamentare në 30 vjetët e fundit, në të cilat nuk merr pjesë ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i cili humbi në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në muajin prill të këtij viti.

Paraprakisht, më 16 mars, tre ditë para se të zhvillohej rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, Gjukanoviq shpërndau Parlamentin dhe caktoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke përmendur trazirat e vazhdueshme brenda Qeverisë dhe mungesën e përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet e 11 qershorit ishin zgjedhjet e 12-ta parlamentare që nga futja e sistemit shumëpartiak dhe të gjashtat që nga pavarësimi i Malit të Zi në vitin 2006.

Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017 dhe kandidat për anëtarësim në BE që nga fundi i vitit 2012.

Mali i Zi hapi të 33 kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE – të fundit në qershor 2020 – dhe mbylli tre.

Humbja e Milo Gjukanoviqit

Vetëm pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, DPS përjetoi një debakli të madh në zgjedhjet presidenciale. Më pas presidenti dhe lideri shumëvjeçar i DPS-së, Milo Gjukanoviq, humbi në raundin e dytë nga nënkryetari i PES-së, Jakov Milatoviq.

Ai fitoi rreth 60 për qind të votave, ndërsa Gjukanoviq rreth 40 për qind. “Sundimtari i përjetshëm” i Malit të Zi u largua kështu pas më shumë se 30 vjetësh nga posti drejtues dhe së shpejti doli në pension nga posti partiak.

Siç tha ai, ka ardhur koha për liderë të rinj në DPS, kështu që Danijel Zhivkoviq u bë kryetar i partisë dhe kryesoi listën në zgjedhjet parlamentare për herë të parë.

Edhe pse DPS ka rezultatin e dytë më të mirë, potenciali i koalicionit të kësaj partie është reduktuar në mënyrë drastike, ndaj është e sigurt se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re.

Me këtë Spajiq dhe Milatoviq arritën rezultat 2:0 në raport me DPS-në dhe triumfin e parë e kishin në tetor të vitit të kaluar.

Pikërisht atëherë Lëvizja Evropa Tani, e formuar nga Milojko Spajić dhe Jakov Milatović – ministra të qeverisë së Zdravko Krivokapić-it, doli për herë të parë në zgjedhje.

Në fjalë ishin zgjedhjet lokale, ku u arrit një rezultat i pabesueshëm. Lista e udhëhequr atëherë nga Jakov Milatoviq fitoi shumicën në Podgoricë dhe kështu e rrëzoi DPS-në nga pushteti pas 24 vjetësh.

Olivera Injac u bë kryetare e komunës së Podgoricës para PES, pasi Milatović hyri në garën presidenciale.

Zgjedhjet lokale ishin fillimi i ngritjes së shpejtë të Lëvizjes Evropa Tani, e cila vazhdoi deri në zgjedhjet parlamentare. Spajiq dhe Milatoviq tani kanë rezultat 3:0 ndaj DPS-së, e cila çdo ditë po humbet fuqinë.


Shtuar 12.06.2023 08:12