Shefi i OKB bën parashikimin e frikshëm: Bota do të vuajë nga uria

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është shprehur se bota pritet të përballet me një krizë të rëndë urie në muajt në vijim, si pasojë e luftës në Ukrainë.

Komentet Guterres i bëri duke folur pranë kancelarit dhe ministrit të Jashtëm austriak në Vjenë, teksa tha gjithashtu se janë duke u zhvilluar bisedime për të larguar civilët e tjerë nga zonat e konfliktit në Ukrainë dhe shprehu besimin se më shumë evakuime do të ndodhin në të ardhmen.

Lufta në Ukrainë ka rritur çmimet ndërkombëtare për drithërat, vajrat e gatimit, karburantet dhe plehrat, ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se rritja e çmimeve do të përkeqësojë krizën ushqimore në Afrikë.

Pushtimi i Ukrainës që nga shkurti ka ndërprerë transportin në Detin e Zi, një rrugë kryesore për drithërat dhe mallrat e tjera, duke bllokuar kështu edhe eksportet nga Ukraina dhe Rusia.

“…Më duhet të them se jam thellësisht i shqetësuar, veçanërisht për rreziqet e urisë që përhapet në pjesë të ndryshme të botës për shkak të situatës dramatike të sigurisë ushqimore me të cilën po përballemi për shkak të luftës në Ukrainë”, tha Guterres.

Pas një vizite në Moldavi, një vend i vogël që ka hapur dyert për refugjatët nga Ukraina fqinje, Guterres i bëri thirrje Bashkimit Evropian të rrisë mbështetjen financiare për qeverinë e Chișinău-s.