Ndalon rrjedhja e gazit në Nord Stream 2

Ka ndaluar përfundimisht rrjedhja e gazit në gaz-sjellësin joaktiv Nord Stream 2.

Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënës shtypi i kompanisë, duke bërë publik lajmin e mirë pas raportimeve të 26 shtatorit se disa rrjedhje masive ishin parë pranë gazsjellësit, në Detin Baltik, në zonën pranë Danimarkës.

Instituti suedez sizmik një ditë më pas, bëri me dije se ka pasur “shpërthime” nënujore të regjistruara para rrjedhjeve të gazsjellësit Nord Stream.

Akuza të ndërsjella mbi ngjarjen kanë vijuar reciprokisht më pas mes palëve, ku vendet perëndimore kanë akuzuar Rusinë për këto shpërthime, ndërsa Moska ka akuzuar vendet perëndimore.

Grupe hetimi përkatëse janë ngritur nga të dy palët, ndërkohë që pritet që edhe SHBA-të të bëhen pjesë e grupit të punës për zbardhjen e ngjarjes, e cila u trajtua gjerësisht dhe me urgjencë edhe në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Dëmtimet në sistemin e tubacionit të gazit natyror Nord Stream nën Detin Baltik kanë çuar në atë që ka të ngjarë të jetë përhapja më e madh e metanit që dëmton klimën e regjistruar ndonjëherë, sipas programit të mjedisit të Kombeve të Bashkuara.

Një grumbull i madh metani shumë i koncentruar, një gaz serrë shumë më i fuqishëm, por më jetëgjatë se dyoksidi i karbonit, u zbulua në një analizë këtë javë nga studiues të lidhur me Observatorin Ndërkombëtar të Emetimeve të Metanit të UNEP, ose IMEO.

Studiuesit vlerësuan se shkalla e rrjedhjes nga një nga katër pikat e këputjes ishte 22 mijë e 920 kilogramë në orë.

Ndaj, pikërisht ndalimi i rrjedhjes së gazit, është një laj i mirë që vjen në një kohë të tillë, ku shqetësimet ishin bërë më shumë se reale për impaktin mjedisor të ngjarjes.

Nord Stream 2 cilësohej si një ndër projektet më madhore energjetike të kontinentit evropian, deri në çastin e fillimit të luftës në Ukrainë, kur kancelari gjerman, Olaf Scholz, vendosi ta pezullojë përfundimisht kompletimin e sistemit gazsjellës.

Scholz, në mars, vendosi pezullimin e plotë të gazsjellësit, duke i shkaktuar një goditje të vërtetë Rusisë.