AAK mbështet idenë për një Qeveri të LDK-së, VV e quan hapin antikushtetues (VIDEO)

Ora 16 e së martës do të përcaktojë nëse LDK-ja dëshiron të bëjë koalicion me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.

Për këtë do të vendosin anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, pasi kreu i LDK-së, Isa Mustafa, u ka kërkuar atyre që të deklarohen në mënyrë elektronike, raporton KOHA.

Arban Abrashi ka mohuar se LDK-ja ka marrë garanci nga presidenti se do t’ia japë mandatin për ta formuar Qeverinë.

Ka thënë se nuk do të bëjnë koalicion me AAK-në dhe Nismën pa u shter mundësitë kushtetuese nga fituesi i zgjedhjeve, Vetëvendosje.

Nëse LDK-ja do të marrë mandatarin për formimin e Qeverisë së re, AAK-ja thotë se pa hezitim do ta përkrahë dhe do të bëhen pjesë e saj.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është për krijimin e një qeverie të re, sa më shpejt aq më mirë. Nëse mandatin për krijimin e kësaj qeverie do ta marrë LDK-ja, ne do ta mbështesim pa asnjë hezitim dhe njëkohësisht do të mund të ishim pjesë e kësaj qeverie, nëse kjo kërkohet prej nesh”, ka thënë Muharrem Nitaj nga AAK-ja.

Partia në pushtet, Vetëvendosje, e quan këtë përpjekje të LDK-së antikushtetuese, duke thënë se për këtë janë duke u bashkërenduar me presidentin Hashim Thaçi.

Në rast se presidenti ia kalon çështjen e mandatarit LDK-së, anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, paralajmëron se do ta dërgojnë në Kushtetuese.

Zyra e presidentit të Kosovës nuk ka treguar se edhe sa do të presë nga Vetëvendosje për çështjen e mandatarit dhe se si do të veprohet më tutje.

Por, shkurt ka thënë se kurdo që të ketë vendim nga presidenti opinioni do të njoftohet me kohë.


Shtuar 13.04.2020 17:34