“O ka gaforre…” një vit nga zhdukja e Ervis Martinajt, zbulohet videoja ku shfaqet duke u larë në Lagunën e Patokut

Është mbushur plot 1 vit nga zhdukja në Shijak e Ervis Martinaj, njeriut që jetonte mes biznesit të lojrave të fatit dhe botës të krimit të organizuar.

Pikërisht në 9 gusht 2022, 41-vjeçari humbi kontaktet me rrethin e tij shoqëror dhe  familjar, çka solli që një ditë më pas në 10 Gusht xhaxhai i tij Rakip Martinaj të kallëzonte në policinë e Laçit, rastin e humbjes së kontaktit me nipin.

Shijaku ishte pika e fundit e ndalesës së tij, duke hyrë në banesën e një të njohuri A.A. Shijaku mban të fshehur misterin nëse Ervis Martinaj është gjallë apo e kanë vrarë.

“Ora News” ka siguruar një video, ku njeriu më i kërkuar nga policia, Ervis Martinaj, shfaqet teksa noton në Lagunën e Patokut në Laç.

Në video duket qartë Ervis Martinaj, teksa bën lëvizje të krahëve dhe më pas zhytet në ujërat e Lagunës.

E teksa noton disa metra, del me urgjence nga uji, duke bërtitur: “…o ka gafore…”.

Për një periudhë 1-vjeçare emri i Ervis Martinajt, ka ngjallur kureshtje, duke e ndarë opinionin publik, median dhe policinë, mes misterit nëse është i gjallë apo është i vdekur.

Prokuroria e Laçit dhe më pas ajo e Lezhës, prej 1 viti po kryen hetime për akuzën e “Rrëmbimit dhe zhdukjes së personit”.

Por deri në këtë fazë nuk është bërë e mundur të gjendet asnjë provë apo sinjalizim, rreth fatit të njeriut që jetonte mes botës së lojrave te fatit dhe Krimit të Organizuar.

Njerëzit e fundit që shoqëronin Ervis Martinaj nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas, ishin e dashura e tij Sadete Kokomani dhe punonjësi i policisë, Jeton Lami.

Ky i fundit u arrestua për “Shpërdorim detyre” dhe më pas u dënua nga gjykata e Lezhës me dy vjet e 10 ditë burgim.

E megjithëse Prokuroria e Lezhës, për rastin Martinaj po kryen hetime në pistën e rrëmbimit dhe zhdukjes së personit, nga ana tjetër SPAK, brenda 1 viti ka iniciuar 4 procedime penale kundër tij, duke i vendosur 2 masa sigurimi “Arrest në burg”.

Nga maji 2022 deri në korrik 2023, Ervis Martinaj është shpallur dy herë në kërkim nga SPAK, si person i implikuar në sigurimin e kushteve për të vrarë Endrit Doklen, Kleant Musabelliut dhe vrasjen e Gjin Boriçit në Shkodër.

Një masë tjetër është dhe inicimi i një hetimi pasuror, duke vendosur sekuestrimin e pasurive të biznesmenit dhe familjarëve të tij.

Ndërkohë një proces tjetër është iniciuar në SPAK pas dyshimeve të përfshirjes së tij në trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europë.

Njëherësh në prokurorinë e Lezhës, në shtator 2022 Martinaj rezulton të jetë marë i pandehur së bashku me Nikolin Nikën, për “Heqjen e paligjshme të lirisë” ndaj 64-vjeçarit Nikoll Buna.

Por pas të gjitha këtyre dosjeve penale të lindura brenda 1 viti, Ervis Martinaj, nuk ka dhënë asnjë sinjal që ekziston.

Për fatin e tij është interesuar personalisht dhe kryeministri i vendit Edi Rama, i cili gjatë një takimi në Ministrinë e Brendshme, me krerët më të lartë të policisë, lëshoi ultimatumin se brenda 3 muaj policia duhet të kishte zbardhur enigmën.

“…është e papranueshme që me javë të tëra mëngjeset dhe darkat e shqiptarëve, ekran më ekran dhe faqe më faqe janë bërë si një “Big Brother” i kronikës së zezë. Jo u vra, jo s’u vra ai që ishte i shumëkërkuar nga drejtësia dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit, lloj-lloj legjendash me luanë, me bamirësa, me oligarkë, shto ujë e shto miell si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit shqiptar”, – u shpreh në 7 shtator 2022, Edi Rama.

Por edhe pas ultimatumit që i dha drejtorit të sapormëruar Muhamet Rrumbullaku se brenda 3 muaj, policia duhet të dilte me një version zyrtar për fatin e Ervis Martinaj, është mbushur 1 vit që Policia e Shtetit dhe organet e tjera të inteligjencës nuk kanë një version zyrtar për fatin e Martinaj./oranews