Pamje të rënda! Shqiptarë e nigerianë përleshen në Itali, Salvini: Largoni banditët


Tre emigrantë në Itali janë përleshur mes tyre me sende të forta. Ngjarja ka ndodhur në qytetin Ferrara, ku sipas mediave italiane, në sherr u përfshinë një shqiptar dhe dy nigerianë. Shqiptari, identiteti i të cilit nuk dihet, kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë. I plagosur mbeti edhe njëri prej nigerianëve, por në gjendje më të lehtë.

Për këtë ngjarje ka reaguar dhe ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, i cili në Twitter postoi edhe foto të dy të plagosurve të shtrirë në rrugë teksa po prisnin për ndihmën e shpejtë. Në reagimin e tij, Salvini tha se është koha që banditët të largohen nga qytetet.

“Përleshje e madhe midis emigrantëve në lagjen Gad të Ferrara, ku u përfshinë një shqiptar dhe dy nigerianë. Më 3 Maj unë do të jem në qytet dhe në orët e ardhshme do të ftoj të gjithë prefektët që të nxjerrin një direktivë për të larguar banditët nga qytetet. Atë që nuk e bëjnë dot kryebashkiakët, e bëjmë ne“, deklaroi Salvini, transmeton tvklan.

Lagjia Gad është ndër më të degraduarat në qytetin Ferrara. Për vite të tëra me radhë, në atë lagje kanë jetuar emigrantë të ndryshëm, kryesisht nigerianë dhe shumë prej tyre janë përfshirë në trafikun e drogës.
Shtuar më 18/04/2019, ora 08:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori