Njihni tre fëmijët e Presidentit (FOTO LAJM)

Për shkak të dy prindërve të tyre politikanë, tre fëmijët e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, kanë dashur s’kanë dashur, kanë qenë në qendër të vëmendjes, që kur ishin bebe.

Bora, Besari dhe Era mund të kenë qenë fëmijët më të fotografuar për sa kohë ishin të vegjël, sepse dy prindërit e tyre kanë qenë e vazhdojnë të jenë të kërkuar nga gazetarët, të cilët pas sfondit politik të hedhur si konsum të përditshëm gazetave, televizioneve e së fundmi edhe portaleve, kanë kërkuar herë pas here të servirin si desert jetën private të çiftit, sidomos fëmijët. Dhe Iliri me Monikën kanë qenë përherë bujarë në këtë pikë.

Monika, si menazhuese e imazhit të familjes dhe fëmijëve, nuk ka bërë asnjëherë të përkëdhelurën me mediat. Të kujdesshmen po. Me një nuhatje të mprehtë, ka ditur të ngjyrosë me nuanca rozë sfondin gri ku politika i ka vendosur herë pas here si familje. Prandaj dera e shtëpisë së tyre, fillimisht ajo e vjetra tek Astiri, e më pas edhe shtëpia në Bllok, ka qenë e hapur sa herë që ajo e ka gjykuar të arsyeshme.

Bora, Era dhe Besi kanë qenë pjesë e rrëfimeve familjare, janë fotografuar herë veshur me ngjyrat e festës së Krishtlindjeve, e herë duke fikur qirinj ditëlindjesh.

Mes të treve, më e vogla, Era, si të ishte klon i dy prindërve e të kish thithur dopio nga të dy sensin e protagonizmit, e ka pëlqyer dhe e ka shijuar famën. Vazhdon ta bëjë edhe kësaj dite. Krejt ndryshe nga motra dhe vëllai i saj më të mëdhenj.

Besari, sot 17 vjeç, ishte i pari që u tërhoq në hije, duke iu qëndruar gjithmonë e më larg kamerave e aparateve, kur u rrit aq sa për të kuptuar se qendra e vëmendjes nuk bënte për të. Djali i vetëm i familjes, ua ka lënë me shumë kënaqësi protagonizmin katër antarëve të tjerë të familjes, sidomos pjesës fëmërore, duke zgjedhur t’i bindet natyrës së tij të qetë, duke zgjedhur të mos shfaqet askund, rrjetet sociale përfshirë. /Tirana Post/

Shtuar më 25/07/2017, ora 12:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori