Njeriu që arriti të kthente shkretëtirën në oaz (FOTO & VIDEO)
Pëlqej
Jadav Payeng filloi të mbillte fidanë në vitin 1979, në një rajon shterp, duke menduar ta transformonte në një habitat për kafshët e vogla dhe zogjtë.

Ai bënte pjesë e një komuniteti tribal të Indisë dhe vijoi misionin e tij për një kohë të gjatë, ndërsa sot njihen më se 550 hektarë të mbjella nga një person i vetëm, por edhe kafshë të shumta, mes të cilave rinocerontë, elefantë, tigra dhe kaproj.

Qeveria e shtetit indian të Assam-it, i vuri emrin e tij pyllit, në vitin 2012.

Payeng u deklarua: “Njeriu i pyjeve në Indi”.

Payeng, vendosi të konservonte natyrën në vitin 1979, kur në Assam pati përmbytje masive; toka pësoi erozion, pemët u rrëzuan, ndërsa kafshët ngordhën, duke mbetur pa banesën e tyre.

Asokohe Payeng si adoleshent, mendoi se, zgjidhja e vetme ishte të rindërtonte banesën e dikurshme të kafshëve dhe të sillte natyrën mbrapsht ashtu siç ishte, më parë.

“Pleqtë e fshatit më dhanë disa fidanë të vegjël bambuje dhe m’u lutën që ti mbillja”, ka rikujtuar ai, në një rrëfim interesant për televizionin “Al Jazeera”.

Përgjatë 34 viteve të mëpasshme, Payeng mbolli çdo ditë disa fidanë të vegjël pranë bregut të lumit Brahmaputra; fillimisht bambu dhe më pas fidanë të tjerë të zonës.

Mendoi edhe për vaditjen e tyre. Payeng, e zgjidhi duke i vendosur çdo fidani bambuje, nga një enë me vrimë poshtë. Uji që mblidhej në ato enë, ushqente më pas pemët e së ardhmes.

Njëherazi, Payeng solli në zonë termite, milingona dhe krimba, që të siguronin edhe fertilizimin e tokës.

Ndërkohë që pylli rritej çdo ditë, aty erdhën edhe kafshët e para, e njëherazi kafshët e fshatarëve filluan të sulmoheshin nga tigrat.

Ata e kërcënuan Payeng se, do ti shkatërronin pyllin, ndërkohë që ai filloi të mbillte akoma më shumë fidanë, veçanërisht banane, – ushqimi i preferuar i elefantëve. Kësisoj, duke gjetur ushqim të bollshëm në pyll, kafshët filluan të mos i afroheshin më fshatit, ndërsa popullsia e kaprojve rritej, e po ashtu tigrat tashmë kishin ushqim të bollshëm.

Ende edhe sot Payneg, vijon të kujdeset për pyllin, e çdo ditë pasi mbaron punët në fshat, – ku e nxjerr “bukën e gojës” nga një fermë lopësh, – ai mbjell fidanë në zonat pranë pyllit të tij.

Payeng është një luftëtar për konservimin e natyrës, duke na treguar se një njeri i vetëm e i zakonshëm, na jep motivim dhe forcë të punojmë”, thotë Tarun Gogoi, një zyrtar i lartë në provincën Assam. /albeu.com/





















Njeriu që arriti të kthente shkretëtirën në oaz (FOTO & VIDEO)

Shtuar më 13/12/2017, ora 17:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori