Dënohet me 12 vjet burg në Belgjikë Ramazan Rraja

Drejtësia belge ka dënuar me 12 vite Ramazan Rrajan, nipi i deputetit të PS, Rrahman Rraja.

Rraja, sipas mediave te Belgjikës, është një nga kokat e një organizate droge shqiptaro-letoneze që tregtonte miliona euro kokainë, duke përfshirë aktivitetin edhe portet e Antwerpen dhe Vlissingen.

Gjykata vendosi një dënim me 12 vjet burg, tre vjet më shumë se sa kishte kërkuar Prokuroria Publike.

Gjatë gjykimit, Prokuroria Publike e kishte portretizuar grupin kriminal rreth Letonezit Kaspars N. si një organizatë kriminale “të lartë” që nxirrte fitime të mëdha nga kontrabanda dhe trafikimi i kokainës.

 Për të ilustruar këtë deklaratë, prokuroria publike iu referua kutive të mbushura me para të drogës, fotove të pakove të drogës.

Sipas prokurorit publik, i dyshuari kryesor Kaspars N., i dënuar me gjithashtu investoi në një restorant pokebowl në Antwerp. “Në këtë mënyrë organizata ka investuar para kriminale në ekonominë e rregullt”, ka thënë kryetarja e aktgjykimit të gjykatës.

Hetuesit kanë mundur të përcaktojnë organizimin rreth 36-vjeçarit Kaspars N i njohur si “The Boss”, falë pajisjeve të përgjimit që kishin vendosur në banesën e tij në Berchem.

Hetuesit dëgjuan Kaspars N. dhe shqiptarin Ramazan Rraja duke folur për një kontejner që ndodhej në kalatën 1742, me banane që tashmë ishte kontrolluar nga dogana, por pa rezultat.

Gjatë një kontrolli të ri, doganierët gjetën 57 kilogramësh kokainë.

Një kapje prej 50 kilogramësh në Vlissingen në Holandë dhe një nga 80 kilogramë në Civitavecchia italiane pranë Romës ishin gjithashtu të lidhura me grupin.

Herë pas here, droga dërgohej nga Ekuadori, zona e preferuar e punës së kriminelëve shqiptarë të drogës, shkruan media belge.

Kujtojmë se Rraja është shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare qysh prej datës 17 janar 2023, pasi GJKKO e ka pranuar kërkesën e prokurorisë SPAK, për caktimin e masës së arrestit në burg ndaj tij.

SPAK pretendon se Ramazan Rraja, kushëriri i tij Redjan Rraja dhe persona të tjerë në qytetin e Durrësit, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në atentatin e datës 1 nëntor 2019 në zonën e Sukthit, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe të plagosur rëndë Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.

Rraja ka qenë shpallur në kërkim dhe  pas atentatit të ndodhur në 17 korrik 2022, në mbikalimin e Fushë- Krujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Në atë kohë, Ramazan Rraha ndodhej jashtë vendit.

Ai u shoqërua nga policia e Fushë-Krujës mesditen e 31 tetorit 2022, kur sapo ishte kthyer në Rinas me linjën e “Flay Dubai” nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Rraja dha deklarime në lidhje me hetimin e masakrës së 17 korrikut, duke dhënë pretendimet e tij dhe më tej është lënë i lirë.

Në 15 nëntor 2022 Rramazan Rraja dhe tre persona të tjerë shokë të tij, janë shoqëruar në policinë e Tiranës dhe marë në pyetje lidhur me trajektoren e lëvizjes së tyre, dhe pronësinë e tre automjeteve të blinduara.

Ai konsiderohet nga policia dhe prokuroria si miku i Plaurent Dervishaj, i cili prej disa vitesh qëndron si resident në Dubai, megjithëse kërkohet nga SPAK për vrasjen e Klodian Saliut në shkurt të 2005./albeu.com