Një vit pa marrë pensionin, ISSH reagon për rastin e 114-vjeçares: Vonesa për shkak të verifikimit

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka reaguar në lidhje me rastin e 114-vjeçares Qamile Marra, familja e së cilës denoncoi sot se e moshuara nuk kishte marrë pensionin.

ISSH thotë se bazuar në analizën e riskut, në mënyrë periodike strukturat rajonale kontrollojnë gjallesën e përfituesve mbi 100 vjeç nëpërmjet kontrollit dyfish, atë të statusit në regjistrin e shtetasve dhe kontaktimit fizik të përfituesve.”

Instituti gjithashtu sqaron se vonesa ka qenë vetëm 6 ditë dhe se pagesa e pensionit është kryer më datë 27.

Reagimi i plotë:

Nisur nga rasti i publikuar së fundmi në media në lidhje me zonjën Qamile Metan Marra e moshës 114 vjeçe, pensioniste, ju sqarojmë se:

ISSH, për çdo pagesë që kryen realizon dhe saktësinë e pagesave nëpërmjet kontrolleve të vazhdueshme. Bazuar në analizën e riskut, në mënyrë periodike strukturat rajonale kontrollojnë gjallesën e përfituesve mbi 100 vjeç nëpërmjet kontrollit dyfish, atë të statusit në regjistrin e shtetasve dhe kontaktimit fizik të përfituesve. Kjo edhe për faktin që të gjithë pensionistët mbi 100 vjeç, autorizojnë persona të tjerë për të tërhequr pensionin.

Në këtë kuadër është kryer edhe verifikimi për zonjën Qamile Marra dje në datën 26 Janar dhe nga ana e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Berat po dje është gjeneruar pagesa. Sot në datën 27 janar është kryer pagesa e pensionit të zonjës pranë banesës nga ana e Postës Shqiptare si agjent pagues.

Theksojmë se vonesa në pagesën e pensionit të zonjës, për shkak të verifikimit, është 6 ditë dhe aludimet se pensioni është ndërprerë për shkak të moshës së lartë nuk janë të vërteta madje janë dashakeqe.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore i uron jetë të gjatë zonjës Qamile dhe të gjithë pensionistëve përfitues dhe shpreh angazhimin për zbatimin me korrektësi të ligjit për pagesat dhe kontrollet e tyre. /albeu.com


Shtuar 27.01.2023 20:37